Sport

Capelo telefonon Dukën për të stolin e trajnerit

Christian Panucci pritet të zyrtarizohet të enjten si trajner i ri i Shqipërisë. Akordi me ish-mbrojtësin e njohur të Italisë është arritur prej ditësh, por FShF dhe më konkretisht kreu i saj, Armand Duka, kanë hezituar të publikojnë lajmin, pasi më parë duhet të mbyllin disa detaje të kontratës.

Ashtu siç raporton gazeta “Panorama Sport” Duka ka preferuar Panuccin dhe jo Luigi De Canion, i cili gjithashtu ishte një kandidat potencial për pankinën kuqezi. Pritet që nesër 44-vjeçari i lindur në Savona të Italisë të udhëtojë drejt Tiranës dhe të enjten të bëjë prezantimin zyrtar nga ambientet e FShF-së. Panuçi ka thuajse një vit që nuk drejton ekip. Për herë të fundit ka qenë në krye të Ternanës në Serinë B.

Legjenda e trajningut italian, Fabio Capelo, mësohet se ka luajtur një rol vendimtar për sponsorizimin e Christian Panuccit në stolin e Kombëtares shqiptare. Gazeta zbulon ekskluzivisht nga burime pranë drejtuesve të FShF-së se trajneri i shquar italian ka telefonuar pak javë më parë presidentin Armand Duka. Pasi kishte mësuar se ky i fundit ishte vënë në lëvizje për të gjetur një italian si pasardhës të Gani De Biasit, menjëherë Capelo ka ndërhyrë.

71-vjeçari, i cili njihet ndryshe edhe si Don Fabio, ka kërkuar të telefonojë personalisht Dukën, për ta bindur që të zgjidhte Panuccin, të cilin e ka pasur ish-asistent të tij te Kombëtarja e Rusisë në vitet 2012-2014.

“Mësova që po kërkoni trajner, ju sugjeroj Panuccin. Nuk do t’ju zhgënjejë”, – mësohet t’i ketë thënë Kapelo kreut të FShF-së. Pas një bisede miqësore, Duka ka bërë hap konkret, duke dëgjuar këshillën e Capelos. Presidenti ka lënë një takim me Panuccin në Romë dhe për afro tre orë ka dëgjuar këtë të fundit për kërkesat që ka në rast se Duka i ofron pankinën kuqezi.

Ish-mbrojtësi i Milanit, Realit, Interit dhe Romës ka qenë në shumë pika dakord me Dukën. Ndërkohë, presidenti i FShF-së ka qenë shumë i dyzuar, pasi në këtë periudhë i kanë rekomanduar disa emra teknikësh italianë. Madje, kandidati më i fuqishëm fillimisht është parë ish-trajneri i Udinezes dhe Napolit, De Canio.

Për 59-vjeçarin, që ka drejtuar edhe ekipin anglez, QPR, kanë lobuar fort te Duka njerëz pranë Federatës Italiane të Futbollit. Gjithsesi, në fund, numri një i futbollit shqiptar mes eksperiencës së De Canios dhe ambicies së një trajneri relativisht të ri si Panucci, ka zgjedhur këtë të fundit për stolin e Shqipërisë. Tashmë mbetet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes nga FShF.

Komentoni