IntervistaToplajm

Bulliqi: Koalicioni PDK-LDK nuk i ka pasur votat që dy vite, nuk i ka as të hënën

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, edhe më tutje mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij, sa i përket ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Bulliqi, beson se koalicioni PDK-LDK, nuk i ka pasur votat për ratifikimin të demarkacionit që pothuajse dy vite, dhe nuk i ka as tash, dhe shpresoj që mos t’i ketë as në të ardhmen, pasi që beson si shumë të tjerë se ajo marrëveshje e dëmton tërësinë territoriale të Kosovës.

Në një intervistë ekskluzive për Kosova Info, deputeti Bullliqi, ka folur edhe për mosrealizimin e liberalizimit të vizave, ku fajtor që qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkan që nuk lëvizin lirshëm në Evropë, e ka Hashim Thaçi.

“Nuk e di se si do te ecin gjërat javët në vijim, por mos realizimin e liberalizimit të vizave kryemeritori është Hashim Thaçi. Ai këtë gjë e ka premtuar nëse nuk gaboj prej vitit 2010, bile na premtonte brenda 15 muajve”, ka theksuar deputeti Bulliqi

Kosova Info: Z. Bulliqi, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka paralajmëruar se të hënën do ta procedojë në Kuvend, ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. A mendoni se ky nxitim i kryeministrit Mustafa, ka pasuar pas mbledhjes së nënshkrimeve nga partitë politike opozitare, për mocionin e rrëzimit të Qeverisë?

Shpejtim Bulliqi: Sjelljen e projektligjit për demarkacion është dashur Qeveria ta sjellë kaherë, ku besoj se do ta kishim rrëzuar bashkërisht pozitë dhe opozitë. Po të sillej me herët, kjo tashmë do të ishte harruar si çështje, ndërsa se ka ndikuar mocioni i opozitës që marrëveshja e dëmshme e demarkacionit për Kosovën të sillet tash për ratifikim, besoj se Po, ka ndikuar. Fatkeqësisht edhe për opozitën edhe për Qeverinë shumë procese po rezultojnë si veprime për përfitime politike.

Kosova Info: A do të thotë se dështimi i ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, në kushtet normale do të duhej ta kishte për pasojë rrëzimin e Qeverisë?

Shpejtim Bulliqi: Unë shpresoj se edhe pse koha kur ky projektligj dhe mocioni po sillen në Kuvend, nuk do të duhej të ndodhnin si procese paralele. Megjithatë, besoj se bashkërisht me kolegët deputetë do të rrëzohet projektligji për demarkacion, ndërsa, që shpresoj se për proceset e mëtutjeshme në bashkëqeverisje do të vendosin partnerët LDK PDK.

Kosova Info: Të gjithë liderët ndërkombëtar dhe vendor, kanë deklaruar se deputetët e Kuvendit të Kosovës, janë ata që me votën e tyre vendosin për ratifikimin e demarkacionit, dhe mundësojnë liberalizimin e vizave. A mendoni se ju është vënë një barrë dhe përgjegjësi shumë e rënd deputetëve nga Qeveria, pasi që deputetët janë zëri I qytetarëve?

Shpejtim Bulliqi: Fajin për presionin e vënë mbi deputetët e ka Presidenti aktual, ish-presidentja Jahjaga, të cilët janë fajtorë pasi që pranuan që ky kusht t’i vihet Kosovës, e pastaj vazhduan të bëjnë presion mbi deputetët duke i keqpërdorur edhe miqtë ndërkombëtarë, të cilët vetëm sa e pohonin atë që e thonin zyrtarët tanë, që jo rrallë tingëllonin me malazez se sa malazezët. Dua të potencoj se BE-ja, nuk ka qenë korrekte me Kosovën, ata kanë aplikuar standarde të dyfishta në raport me Kosovën duke e mbajtur të izoluar padrejtësisht.

Kosova Info: Për gati dy vjet, keni qenë deputeti më i zëshëm i kundërshtimit të demarkacionit me Malin e Zi, ku disa herë keni dorëzuar në Kuvend propozime për zgjidhjen e kësaj çështje. A Keni marrë ndonjë herë përgjigje nga Qeveria?

Shpejtim Bulliqi: Janë bërë dy vite që unë me kolegun tim kemi filluar ta kundërshtojmë marrëveshjen, pra para se të nënshkruhej. Nuk kam lanë instancë pa e kundërshtuar, kam komunikuar me shumë akterë si në Kuvend, ashtu edhe zyrtarë të Qeverisë, mirëpo marrëveshja prapë u nënshkrua. Pas nënshkrimit, prapë kemi vazhduar me kundërshtime duke prezantuar materiale faktografike, kemi takuar zyrtarë qeveritarë, por prapë as kundërshtimet tona të bazuara në fakte, nuk u morën parasysh, siç nuk u morën as të atyre që para nesh po e kundërshtonin këtë marrëveshje. Gjatë gjithë kohës kemi ofruar propozim zgjidhje, kishte mundësi sepse Mali i zi nuk e kishte ratifikuar ende. Prapë ka mundësi, por tash ato janë më të limituara. Tash vetëm rrëzimi i marrëveshjes qel rrugëdalje.

Kosova Info: Z. Bulliqi, a mendoni se për prishjen eventuale të koalicionit qeverisës kanë kontribuuar mosunitetet brendapartiake te të dy partitë rreth çështjeve kyçe e që shkaktuan bllokadën e qeverisjes?

Shpejtim Bulliqi: Pa marrë parasysh preferencat e mija për këtë koalicion, disa procese kanë ecur përpara, i kam përkrahur edhe unë. Në demokraci çdo kund në botë, jo gjithherë të gjithë pajtohen njëzëri, as brenda partisë e as në koalicion. Sikur të ndodhte që partitë mos të trajtohen si prona të ndonjë grupi/klani në çdo subjekt politik në Kosovë, atëherë shumë lëshime do të evitoheshin, kur Qeveritë marrin vendime, sepse do të dëgjoheshin edhe zërat tjerë, jo vetëm të atyre që e rrethojnë liderin qeveritar apo partiak. Shpeshherë liderët të ndikuar edhe nga këshilltarët e dobët apo edhe rrethi i ngushtë që më të rëndësishëm e kane rehabilitimin dhe përfitimin personal, se sa interesin nacional përtej partiak, shumë gjëra të dëmshme do të evitoheshin.

Kosova Info: Nëse në Kuvend nuk ratifikohet demarkacioni. A do të mbahet mend se Qeveria e Isa Mustafës nuk arriti ta sigurojë liberalizimin e vizave?

Shpejtim Bulliiq: Nuk e di se si do te ecin gjerat javët në vijim, por mos realizimin e liberalizimit të vizave kryemeritori është Hashim Thaçi. Ai këtë gjë e ka premtuar nëse nuk gaboj prej vitit 2010, bile na premtonte brenda 15 muajve. Në atë kohë nuk kishte proces demarkimi fare, pastaj po del se prapë është i njëjti person sipas eurodeputeteve, që ka pranuar më vonë që ratifikimi të bëhet kusht. Hashim Thaçi është i njëjti person që bashkë me partnerin e koalicionit e nënshkruan marrëveshjen që po kundërshtohej fuqishëm nga shumë palë në Kosovë. Për mosliberalizim të vizave përgjegjës janë të gjithë që kanë qeverisur me Kosovën ndër-vite, siç ka faj edhe vet Komisioni Evropian, që po vepron padrejtësisht ndaj Kosovës.

Kosova Info: A besoni se koalicioni qeverisës i ka votat për ratifikimin e demarkacionit?

Shpejtim Bulliqi: Unë besoj se nuk i ka pasur që pothuajse dy vite dhe nuk i ka as tash. Shpresoj që mos t’i ketë as në të ardhmen, pasi që besoj si shumë të tjerë se ajo marrëveshje e dëmton tërësinë territoriale të Kosovës. Shpresoj qe loja politike mision dhe demarkacion brenda dy ditësh mos tu shkaktoj presion e konfuzion deputetëve, sepse mandatet e deputetëve dhe qeverive vijnë e shkojnë, ndërsa që territori nga i cili hiqet dorë njëherë më nuk kthehet. Gjithçka i mbetet historisë, ndërsa pasojat e veprimeve/votimeve tona na përcjellin.

Kosova Info: Nëse nuk ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi, a do të fajësohen vetëm deputetët për këtë çështje, apo edhe institucionet tjera?

Shpejtim Bulliqi: Unë lutem që demarkacioni gjegjësisht kjo marrëveshje mos të ratifikohet. Menjëherë, pas rrëzimit duhet të filloj procesi i korrigjimit të gabimeve, jo gjuetia e kokave apo fajtorëve. Pas refuzimit të ratifikimit me vote nga deputetët, duhet të fillon procesi i korrigjimit dhe rinegocimit me Malin e zi, kuptohet duke u anuluar të gjitha deklarimet e zyrtarëve tanë rreth kësaj çështje. Mali i Zi, besoj se do të pranoj ri-negocim, sepse ata e dinë që janë rritur në sipërfaqe në dëm të Kosovës,dhe këtë ua kemi dëshmuar ne.

Kosova Info: Çfarë vlerësimi keni për bashkëqeverisjen PDK-LDK?

Shpejtim Bulliqi: Ka qenë një reprizë e koalicionit të vitit 2007, ka pasur gjëra pozitive, por ka pasur edhe gjëra negative. Në këtë të fundit, LDK është gjendur para aktit të kryer në disa procese, andaj nuk është se ka pasur mundësi t’i ndryshojë. Sidoqoftë vlerësimin më të mirë këtij koalicioni do t’ia jap elektorati i dy subjekteve kur të garojnë prapë.

Kosova Info: Çfarë do të ndodhë nëse demarkacioni nuk do të kalojë, pra a do të shkoj vendi në zgjedhje të parakohshme, apo do të vazhdoj qeverisja PDK-LDK?

Shpejtim Bulliqi: Do të dëshiroja që një ditë pas refuzimit/mos-kalimit të projektligjit për demarkacion, Qeveria të fillonte të merrej me korrigjimin e gabimeve/lëshimeve në këtë marrëveshje, ndërsa që paralelisht të vazhdonte punën në proceset tjera aktuale.

Intervistoi: Lumturije BEKAJ

Komentoni