Lajme

Bullgari: Rusia e ka shkelur hapësirën ajrore mbi Detin e Zi, Rusia mohon

Bullgaria tha mbrëmë vonë se një aeroplan rus i ka shkelur rregullat ndërkombëtare gjatë fluturimit në hapësirën ajrore mbi Detin e Zi, megjithëqë ka pranuar se nuk është shkelur hapësira e saj ajrore.

Bullgaria, që është anëtare e NATO-s, në këtë mënyrë ka reaguar ndaj kumtesës së pardjeshme të Ministrisë së mbrojtjes së Rusisë, me të cilën hedhet poshtë çfarëdo shkeljeje e tillë dhe këmbëngul se aeroplani rus i ka respektuar rregullat ndërkombëtare.

Këmbimi i akuzave ka filluar më 24 korrik, kur ministri i mbrojtjes i Bullgarisë, Nikolay Nenchev, i tha rrjetit televiziv, Nova TV, se ka pasur rritje në shkeljet e hapësirës ajrore të Bullgarisë, nga aeroplanët e ushtrisë ruse dhe ata komercialë.

Nenchev tha se aeroplani ushtarak rus e ka shkelur katër herë “sipërfaqen e përgjegjësisë së Bullgarisë” në hapësirën ajrore të NATO-s, gjatë muajit të kaluar.

Rusia hodhi poshtë pohimet e Sofjes, se “aeroplanë ushtarakë rusë me transponderë të fikur” (radio transmetuesit, të cilët lehtësojnë identifikimin e radarit) fluturojnë mbi zonën bullgare.

“Këto janë provokacione, gjuajtësit tanë janë në gatishmëri. Kjo është shumë shqetësuese e për këtë arsye marrim masa parandalimi”, tha para disa ditësh ministri i mbrojtjes Nikollaj Nençev në një intervistë për Nova TV dhe shtoi se vetëm gjatë muajit të fundit ka pasur 10 raste të tilla.

“Mungon komunikacioni dhe po përpiqemi ta rifillojmë atë”, tha atëherë Nençevi.

Përgjigja e zëdhënësit të Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë është se aeroplanët rusë mbi Detin e Zi respektojnë rregullat ndërkombëtare dhe shtoi se Ministria Ruse nuk ka marrë protestë nga ana bullgare. 

Leave a comment

Your email address will not be published.


*