Rajoni

Bosnjë e Hercegovina një hap më afër statusit të kandidatit për BE

Këshilli i BE-së ka pranuar, të martën, kërkesën e Bosnjë Hercegovinës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ka udhëzuar Komisionin Evropian që të përgatis pyetësorin për BH dhe njëkohësisht ka kërkuar edhe formalisht që të ofrojë mendimin për anëtarësimin e Bosnjës në BE.

Pritet që pas këtij hapi BH të marrë edhe pyetësorin prej 2.000 pyetjesh në të cilat do të duhet të përgjigjet në rrugën e saj drejt statusit të kandidatit.

Në konkluzione të Këshillit konstatohet se Bosnjë e Hercegovina më 15 shkurt të vitit 2016 ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE dhe që Komisioni Evropian pas kësaj është thirrur për të dhënë mendimin e tij. Bazuar në konkluzionet e Këshillit Evropian, edhe njëherë është vërtetuar se e ardhmja e Ballkanit perëndimor është në BE.

Por, përparimi i secilit vend të rajonit varet nga përpjekjet individuale që t’i përshtaten kritereve të Kopenhagës dhe kushtëzimit të procesit me stabilizim dhe bashkim.

Këshilli ka përshëndetur përparimin e theksuar në zbatimin e agjendës së reformave për të cilat janë pajtuar qeveritë në Bosnjë e Hercegovinë në të gjitha nivelet dhe I ka bërë thirrje Bosnjë e Hercegovinës që të vazhdojë me zbatimin e kësaj agjende.

“Përveç reformave socio-ekonomike, këto përpjekje duhet që edhe më tutje të drejtohen edhe në reformat e fushës së sundimit të ligjit dhe të administratës publike”, thuhet në një nga konkluzionet e Këshillit.

Komentoni