Ekonomi

Boshnjakët kërkojnë investime dhe punësime të reja

Kryetarja e Partisë së Re Demokratike dhe njëherësh deputete e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti boshnjak Emilia Rexhepi me një delegacion, ka vizituar Aleancën Kosovare të Bizneseve, ku janë pritur nga kryetari Agim Shahini dhe anëtarët e bordit të AKB-së.

Emilia Rexhepi, kryetare e Partisë së Re Demokratike, kërkoi nga udhëheqja e AKB-së që të gjejnë mundësinë e sjelljes së investitorëve edhe nëpër rajonet ku jeton komuniteti boshnjak.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, shtoi se komuniteti boshnjak i integruar në shoqërinë kosovare pret që përmes investimeve të rritet punësimi i këtij komuniteti dhe të hiqen dilemat se këta mund të gjejnë diku më mirë se në Kosovë.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, falënderoi deputeten për kontributin e dhënë në kuvend dhe po ashtu edhe për kontributin e dhënë nga komuniteti boshnjak për rimëkëmbjen e ekonomisë së Kosovës.

Ai tha se në të ardhmen do shikojnë mundësit që t’i orientojnë investitorët e interesuar që të vizitojnë edhe rajonet ku jetojnë komuniteti boshnjak, në mënyrë që të gjinden format dhe modalitetet e investimeve të përbashkëta e që për këtë komunitet të krijohet një klimë më e mirë për të jetuar në Kosovë.

Të dy palët u pajtuan që të kenë komunikime të shpeshta për harmonizimin e kërkesave të përbashkëta e që rrisin investimet dhe punësimin edhe në këtë komunitet. /KI/

Komentoni