Kosova

Boshnjakët e Kosovës përshëndesin deklaratën e Izetbegoviqit

Ministri për Zhvillim Rajonal në Qeverinë e Republikës së Kosovës njëherit edhe kryetar i Partisë Demokratike Boshnjake, Rasim Demiri e ka përshëndetur gatishmërinë e anëtarit boshnjak të kryesisë së Bosnjë dhe Hercegovinës Bakir Izetbegoviqit për të përmirësuar marrëdhëniet me Kosovën për të cilën nevojitet konsensusi në nivel të tërë Bosnje dhe Hercegovinës.

Ai ka vlerësuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Bosnjës dhe Hercegovinës do të kontribuoi në marrëdhëniet më të mira ndërmjet dy vendeve dhe do të zbuste problemet e qarkullimit të njerëzve si dhe marrëdhëniet ekonomike ndërmjet shteteve.

Ministri Demiri ka përshëndetur gatishmërinë dhe angazhimin e anëtarit boshnjak të kryesisë, duke vlerësuar se problemet politike në relacionet Kosovë-Bosnje dhe Hercegovinë më së shumti reflektojnë tek boshnjakët në Kosovë dhe në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Gatishmëria dhe angazhimi i anëtarit boshnjak të kryesisë Bakir Izetbegoviqit që të njihet pavarësia e vendit tonë dhe të rregullohen marrëdhëniet, është mesazh që duhet ta përkrahim sepse ka të bëjë me problemet e qytetarëve të thjeshtë të të gjithë Ballkanit. Jam i bindur se marrëdhëniet më të mira politike do të ndikonin në bashkëpunim më të mirë ekonomik i cili nga lufta e fundit në Kosovë ka patur një fluks dinamik të rritjes ndërsa pas shpalljes së pavarësisë së vendit tonë është sjellë në minimum”, thekson Demiri, transmeton Lajmi.net

Anëtari i Kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës Bakir Izetbegoviq në intervistën për Deutsche-Ëell-ën ka deklaruar se gjatë gjithë kohës ai ka kërkuar që të paktën të vendoset për të gjitha problemet teknike në relacion me Kosovën dhe ekonomia e Bosnjës dhe Hercegovinës duron, sepse ka problem në qarkullimin e mallrave dhe biznesmenëve nga Kosova.

Izetbegoviq tha se ai është një gjenerator i cili po përpiqet që të zgjidhen problemet në relacion me Kosovën por që është më se e qartë se kush po ngre frenat e këtij procesi.

Në përsëritjen e pyetjes konkrete se a do ta njohë Bosnja dhe Hercegovina pavarësinë e Republikës së Kosovës, në të cilën pati mundësi të përgjigjet vetëm me Po ose Jo, Izetbegoviq tha: “Shpresoj që po”.

Komentoni