Ekonomi

Biznes Forumi prezanton firmat prodhuese vendore

Në ditën e tretë të Biznes Forumit në Prizren është bërë prezantimi i firmave prodhuese vendore. Para vizitorëve të shumtë, në sallën e qendrës sportive ku po mbahet panairi, u prezantuan firmat prodhuese nga sektorë të ndryshëm.

Organizatori i këtij Forumi që përfshin panair dhe aktivitete të shumta, Levent Bush, potencoi rëndësinë që ka sektori i prodhimit për ekonominë e një vendi.

Ai po ashtu shtoi se takimet ndërmjet bizneseve B2B u treguan mjaft të frytshme me c’rast janë arritur disa marrëveshje ndërmjet kompanive.

Firmat prodhuese që u prezantuan janë Nida Medical, që prodhon pajisje ortopedike, pastaj Fortuna Shoes që prodhon këpucë, Fashion Network Industries që prodhon Uniforma e shenja Ushtarako-Policore, si dhe fabrika Proton Cable, prodhues i kabllove dhe përçuesve elektrik për tension të ulët.

Drejtuesit e këtyre fabrikave theksuan rëndësinë e përkrahjes së prodhimtarisë vendore, si nga institucionet qendrore e lokale, ashtu edhe nga qytetarët.

Po ashtu ata potencuan prodhimet e tyre kualitative, që shumë prej tyre, tani më kanë filluar eksportin.

Biznes Forumi po organizohet për herë të tretë me radhë, kurse në këtë edicion janë duke marrë pjesë mbi 130 kompani vendore e ndërkombëtare, nga vendet e rajonit, si Shqipëria, Turqia, Bosnja e Hercegovina e vende të tjera.

Prizren Biznes Forumi mbyllet të dielën. /KI/

Komentoni