Ekonomi

Bie eksporti, rritet importi

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë prej 249,0 milionë Eurosh, ose për 14.8% në muajin gusht 2016, krahasuar me deficitin prej 216,9 milionë Euro të periudhës së njëjtë të vitit 2015. Eksporti mbulon importin me 7.9%.

Eksporti i mallrave në muajin gusht 2016 kishte vlerën 21,4 milionë Euro, ndërsa importi 270,4 milionë Euro, ku është një rënie prej (-24.2%) për eksport dhe një rritje prej 10.3% për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 29.0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 17.0% e përbëjnë produktet minerale; 12.4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.5% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.3% e përbëjnë produktet bimore; 3.8% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 3.6% e përbëjnë tekstili dhe artikuj prej tij; 3.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15.0% të importit e përbëjnë  ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 13.7% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 13.1% e përbëjnë produktet minerale; 10.5% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 6.8% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.4% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 4,6 milionë Euro, ose rreth 21.7% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-45.1%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (5.2%), Bullgaria (3.5%), Austria (2.9%), dhe Kroacia (2.2%).

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së janë rreth 109,3 milionë Euro, ose 40.4% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 5.8%. Importet me pjesëmarje më të lartë janë nga: Gjermania (11.8%), Italia (8.2%), Polonia (3.1%), Greqia (2.9%), etj.

Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s, në muajin gusht 2016 arritën në 11,0 milionë Euro, ose 51.3% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-8.6%). Ndërsa, partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (17.2%), Maqedonia (14.0%), Serbia (9.4%) dhe Mali i zi (7.7%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin gusht 2016, arritën në 76,9 milionë Euro, ose 28.4% e importeve të përgjithshme, ku kishte një rritje prej 8.8%. Kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (14.8%), Maqedonia (6.0%), Shqipëria (3.9%) dhe B&H (3.2%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 5,8 milionë Euro, ose 27.1%. ndërsa, si partnerë më të rëndësishëm për eksport nga këto vende janë: Zvicra (6.4%) dhe  Turqia (3.2%).

Ndërkaq, importet e Kosovës me vendet tjera të botës arritën në 84,2 milionë Euro, ose 31.1%. kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup janë: Turqia (10.4%) dhe Kina (8.9%).

Komentoni