Kosova

Bezeraj: Përdorimi dhe citimi i dokumentit s`është plagjiaturë

Dr. Selim Bezeraj, shef i Departamentit të Historisë në Universitetin e Prishtinës, ka reaguar pas akuzave për plagjiaturë të pubnimit të tij të doktoraturës nga ana e mediave. Akuzat erdhën pas avancimit të tij nga senati i UP në pozitën Profesor Asistent.

” Si njeri, që beson tek institucioni dhe si person, që mbështet vendimmarrjen institucionale të bazuar në ligj, rregulla të shkruara dhe etikë të lartë, kam dashur të mos hyj në një ‘luftë’ virtuale, e cila do të ndikonte në një apo tjetër mënyrë Senatin e Universitetit të Prishtinës ta trajnonte çështjen e aplikimit tim për avancim akademik në një apo në një tjetër mënyrë. Unë besoj, se institucionet duhet të jenë të pavarura, të jenë të vëmendshme dhe vizionare dhe të shqyrtojnë dosjen e secilit në bazë të performancës dhe rezultateve në punë të përditshme dhe jo të përfshihen në diskutime shterpë, sulme të porositura dhe aq më pak të kushtëzohen nga atyre, që lapsi kimik u është dhënë i zi për skicuar zi e më zi këdo, që ka penguar ndonjëherë enturazhin përkatës në marrjen dhe ruajtjen e pozitave të privilegjuara; atyre, që arsenalin e ngjyrave e kanë pa limit dhe e ndërrojnë atë sa herë ta dojë porositësi: herë duke ia hedhur fytyrës njerëzve dhe herë duke e hedhur në letër për të nxirë po ashtu fytyrën e dikujt.
Pra, do të isha pa diskutim i jo i ndjeshëm, nëse nuk do të shihja këtë zhvillim të madh në disa muaj, që ka Universiteti i Prishtinës: distancën nga të mjerët, që vlerën e tyre e kërkojnë nëpërmjet një herë përmes shantazheve partizane në dhunimi të hapësirës universitare, herë me sulme fizike alla Che Geuvara, herë duke shfrytëzuar si artileri qorre median dhe herë duke shfrytëzuar karrigen me lëkurë të të parit të institucionit, të cilën e kanë lënë njëjtë si e kanë marrë: me vulën e humbjes së pakthyeshme përfundimtare!
Pra, përsëri, falënderoj të gjithë ata senatorë, të cilët patën urtësinë, që të respektojnë autonominë e institucionit, ligjin dhe të gjithë atë çka iu prezantua atyre në dosjen time.
Për shkak të detyrimit moral ndaj senatorëve në fjalë, studentëve, kolegëve dhe opinionit të gjerë publik do të postoj më poshtë sqarimin tim ndaj tymnajës së ngritur me qëllim të keq ndaj meje dhe universitetit, se gjoja unë paskam bërë plagjiaturë në aktivitetin tim akademik.
Kronologjikisht, për herë të parë kam shkuar në Austri, me bursë të Universitetit të Vjenës në vitin 2009 për hulumtime, të cilat kanë zgjatur disa vite. Tema ime e doktoratës është rezultat i punës së drejtpërdrejtë në arkiva dhe natyrisht është një kontribut modest për historiografinë shqiptare, veçanërisht në trajtimin e marrëdhënieve shqiptaro-austrohungareze. Në Arkivat e Vjenës, dokumentet janë një dhe nuk ka ndryshim të tyre, pavarësisht kush kur i ka gjetur. Ato kanë të njëjtën përmbajtje si për mua, ashtu edhe për të gjithë të tjerët. Në punën kërkimore-shkencore puna me dokumente arkivore kalon nëpër tri etapa: Heuristika, Kriticizmi dhe Elaborimi. Për pohimin se ju “paskeni gjetur” diçka të ngjashme (që në fakt është ‘gjetje origjinale’ e rektorit të kaluar matematikan), unë po ju postoj dokumentin në fjalë të Konsullit Halla, i cili mban datën 9 mars 1914. Pra, kur dikush citon një dokument, sepse e ka gjetur atë në një arkiv (duke e kthyer përsëri atë aty, ku e ka marrë), një tjetër, që përdor të njëjtin dokument nga i njëjti arkiv (ku e ka kthyer i pari) nuk bën plagjiaturë, sepse dokumentin origjinal nuk mund ta ndryshojë as i pari, as i dyti, por mund ta përdorin si të tillë të dy. Eventualisht mund të konsiderohej një fenomen i tillë, nëse autori i dytë (domethënë unë) do të pretendoja, se e kam zbuluar i pari dokumentin, gjë që nuk është rasti. Rasti nuk është aq që unë e kam marrë dokumentin nga Christian Adams, por nga vetë arkivi, siç po e dëshmoj me të gjitha dokumentet në fjalë.
Më lejoni të bëj një krahasim ilustrues, që të jetë më e qartë. Ky ‘zbulim’ i Ramadan Zejnullahut për plagjiaturën time (dërguar mua zyrtarisht në datën 9.7.2016 nëpërmjet letrës në fjalë, është bërë pikërisht në kohën, kur dosjet e universitetit i merrte në sqetull me vete në shtëpi ish-rektori, sepse lupën e madhe e mbante në shtëpi), po botohet nga Rron Gjinovci, përkatësisht portali ‘kallxo’. Në fakt, pra, gjithsesi, patjetër, kjo po, që është plagjiaturë. Zbulimin e Danit po e përdor si të vetin Rroni dhe me fjalë të tjera në fillim të artikullit shkruhet ‘Autor: Rron Gjinovci’, por praktikisht lexohet ‘Autor: Ramadan Zejnullahu’. Kjo është plagjiaturë. Madje me vetëdije dhe e organizuar. Sepse njëri ia ka dhënë tjetrit. Tjetri po e boton në emrin e vet (dhe të medias përkatëse). Pra, nuk është plagjiaturë dokumenti, që kam gjetur unë në Arkivin e Vjenës, të cilën e ka gjetur para meje Christian Adams (bravo edhe këtij) dhe me gjasë edhe shumë të tjerë para Bezerajt dhe Adamsit dhe që mund të shkojë ta gjejë edhe sot e kësaj dite Gjinovci, Zejnullahu dhe e gjithë shpura gjegjëse e uzurpatorëve dhe banditëve të pritave pas shpine me diplomë dhe status të lartë shoqëror.
Gjithashtu, për hir të argumentimit, në punën studimore në disiplina të ndryshme përdoret metodologji e caktuar për të shpjeguar burimin. Pra, ne në shkencat humanistike përdorim Chicago Style Citations, stil i fusnotave dhe të metodologjisë unik për të gjithë studiuesit, kudo që janë.
Të gjitha dokumentet, që kam hulumtuar dhe shfrytëzuar, i kam të bashkëngjitura në shtojcë në publikimin tim. Gjithashtu, për hir të informimit të drejtë të opinionit, po i bashkëngjis edhe disa nga fletëpagesat e kopjeve të bëra në arkivat austriake dhe dëshmi, që unë kam qenë hulumtues i rregullt në arkiva atje. Është punë 5 vjeçare në studimet e mia të doktoratës dhe madje duke hulumtuar burime origjinale për të shkruar historinë, ashtu siç e kërkon historiografia bashkëkohore, dhe sigurisht jo ajo moniste.
Në të gjitha faqet ka mbështetje të dokumenteve origjinale sikur ky. Ka citime direkte nga dokumentet dhe madje jam shumë i lumtur, që kam pasur mundësinë të jem shfrytëzues i drejtpërdrejtë i arkivave.
Unë kam shkuar për hulumtime në arkivat austriake, sepse pata mundësinë, që ma ofroi Universiteti i Vjenës, me të vetmen arsye që të hulumtohen dokumentet origjinale të proveniencës austriake, dhe jo sepse dokumente të tilla nuk gjenden edhe në Tiranë, madje edhe të përkthyera në gjuhën shqipe që në kohën e monizmit. Prandaj, pikërisht për këtë arsye (shpesh qëllimi i hulumtimit të përcakton dizajnin hulumtues dhe, pse jo, rezultatet e studimit) për të vërtetuar saktësinë e përkthimit të tyre në Shqipëri, (për shkak se shumica e studiuesve seriozë theksojnë, që janë përkthyer gabimisht me qëllim nga monizmi) unë kam hulumtuar dhe trajtuar dokumentet origjinale të arkivit në Vjenë. Një shembull tipik për të krahasuar këtë është edhe manifesti i princ Vidit, që gjendet në shumë botime, që kanë trajtuar periudhën e Princit kudo. Unë kam zgjedhur librin “Historia e Shqipërisë 1912-2008”, i botuar në vitin 2007, të autores Valentina Duka, për të ilustruar këtë lloj metodologjie pune dhe argumentimi i dokumenteve historike me përmbajtje të njejtë.


Në fund, dua të theksoj për opinionin e gjerë, që shpifja e ulët kundër meje (siç u argumentua më lart), nuk ka qëllim të më dëmtojë vetëm mua. Në fakt, unë objektivi i parë në shkallën e objektivave të tjerë, që kanë si mision autorët e saj. Qëllimi këtu është të sulmohet Departamenti i Historisë, po ashtu Fakulteti Filozofik dhe Universiteti i Prishtinës. Është tendencë për të krijuar një opinion publik të caktuar rreth universitetit, përveçse përpjekje për të sulmuar njerëz të caktuar, në mënyrë që të krijohet terreni i përshtatshëm, që Dani me kompani (kësaj radhe po i kursej nga përmendja e emrave) të rikthehen hipur në kuaj me krifë të bardhë dhe me dyer hapura dyfish në rektoratin e Universitetit të Prishtinës dhe të vazhdojnë zbatimin e ideve iluministe te ‘profesorët dhe studentët analfabetë’. Meqenëse me mua nuk u eci, jam i sigurtë që do të vazhdojnë sagën e tyre poshtë e përpjetë të nxirjes së figurave publike në universitet dhe për këtë arsye i bëj thirrje opinionit të gjerë publik, veçanërisht mediave, të mos jenë allti në duar të njerëzve, që kanë treguar me vepra, se më së paku duan studentët, kolegët dhe universitetin.”, thotë në reagimin e tij dr. Selim Bezera.

Komentoni