Kosova

Betohen 16 kadetët e rinj të FSK-së, midis tyre edhe Luan Haradinaj

Në kazermën ,”Adem Jashari”‘ Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK), në Prishtinë, u zhvillua ceremonia solemne e betimit të kadetëve, të cilët janë pranuar këtë vit akademik në Qendrën për Studime Universitare(QSU).

Ceremonia nisi me intonimin e himnit të Republikës së Kosovës, dhe më pas, para kadetëve parakaluan komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Enver Cikaqi dhe komandanti i QSU-së, major Avni Kiqina.

Fjalën e hapjes së ceremonisë e mbajti ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, zotëri Haki Demolli, i cili iu drejtua kadetëve të rinj me këto fjalë: ,,Që nga sot, ju do të jeni në studime që dallojnë dukshëm nga studimet e moshatarëve tuaj. Ju sot po e filloni shkollimin tuaj, i cili do t’ju bëjë të dobishëm dhe të vlefshëm jo vetëm për vetën tuaj, por edhe për popullin, institucionet dhe shtetin tonë në përgjithësi’’.
 
Më tej, Ministri Demolli theksoi se FSK-ja është e përkushtuar dhe se objektiv i saj është ndërtimi i një force profesionale, moderne të sigurisë, të trajnuar mirë dhe të pajisur me infrastrukturë sipas standardeve të Aleancës Veri –Atlantike. Për ta arritur këtë, ministri Demolli tha se nuk mjafton vetëm dëshira dhe përkushtimi i pjesëtarëve, por duhet edhe ngritja e lartë profesionale dhe arsimore, e cila mund të arrihet vetëm përmes shkollimit dhe trajnimit të kuadrove të reja në akademi dhe institucione bashkëkohore ushtarake.
 
Në fund të fjalimi të tij, ministri Demolli iu drejtua edhe familjarëve të kadetëve: ,,E di që edhe ju jeni krenarë për sukseset e djemve dhe vajzave tuaja. Prandaj shfrytëzoj rastin t’ju falënderoj për mbështetjen që iu keni ofruar fëmijëve tuaj, respektivisht kadetët tonë, në realizimin e synimeve dhe dëshirave të tyre, që të bëhen kadetë, pra oficerë të vendit. Uroj që ndonjëri prej tyre në të ardhmen të bëhet edhe oficerë i lartë i Forcave të Armatosura të Kosovës.
 
Nga ana e tij, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Enver Cikaqi foli mbi rolin, rëndësinë dhe traditën e shkollimit të kadetëve në FSK. Gjeneral Cikaqi tha se nga kjo QSU deri më tani kanë diplomuar dhe shërbejnë në FSK 85 oficerë, të cilët janë duke bërë një punë të shkëlqyer nëpër njësitë e tyre.
 
Në vazhdim, gjeneral Cikaqi tha se qëllimi i programit të edukimit dhe shkollimit të kadetëve, është të zhvillojë udhëheqës me karakter dhe kompetencë. “Shkollimi juaj bëhet në një ambient me disiplinë të lartë dhe do të jetë mjaft sfidues, por ne ju përzgjodhëm Ju në mesin e shumë aplikuesve” .
 
Në fund të fjalës së tij, gjeneral Cikaqi përgëzoi edhe stafin e QSU-së për punën dhe përkushtimin e pareshtur në edukimin dhe kalitjen e oficerëve të rinj të FSK-së.
 
Ndër 16 kadetë të pranuar këtë vit në Qendrën për Studime Universitare, gjenerata 20120, një është nga Republika e Shqipërisë si dhe një kadete femër. Kadetët do të studiojnë edhe në Universitetin Amerikan në Prishtinë, dhe pas katër vitesh, pra në vitin 2020, do të dalin në detyrë me gradën e nëntogerit. /KI/

Komentoni