Kosova

Berisha: Qeveria dhe Presidenca fajtore për arrestimin e Thaçit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, ka reaguar ndaj arrestimit të drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Nehat Thaçi, i cili dje u prangos nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare tek ‘Dheu i Bardhë’.

Institucionet kryesore të vendit nuk kanë bërë asnjë reagim lidhur me rastin e arrestimit të këtij zyrtari të lartë të PK-së. Lidhur me këtë, Berisha thotë se institucionet kanë gabuar me këtë heshtje.

Në një prononcim për “Indeksonline”, ai shprehet se Beogradi zyrtar është duke vazhduar me politikën e njëjtë sikurse të Slobodan Millosheviqit. 

“Jo fajtor, por këta janë superfajtor. Faktikisht sillen si me qenë Kosova provincë e Serbisë dhe ajo të ketë autoritetin mbi qytetarët e Kosovës. Në fakt, me Serbinë janë bërë gabime trashanike dhe në këtë rast Serbia po vazhdon të sillet me autoritetin të cilin nuk e ka mbi qytetarët e Kosovës. Kjo faktikisht e rëndon jetën e qytetarëve për lëvizje të lirë dhe në momentin kur ka ndodhur arrestimi i një zyrtari të lartë të PK-së Qeveria dhe gjitha institucionet, diplomacia dhe presidencën është dashur të ishin 24 orë të jenë aktiv”, është shprehur ai.

Më tej, deputeti i partisë së Fatmir Limajt thotë se çështja e arrestimeve sipas urdhrave dhe akuzave që i bënë Serbia tregon se ky shtet nuk ka ndryshuar logjikën.

“Po, këto po vazhdojnë politikën prej asaj që ishte fashiste në raport me shqiptarët”, ka thënë ai.

Komentoni