Kosova

Berisha: Diskriminimi gjinor fillon që nga lindja

Komiteti për Barazi Gjinore në kuadër të aktiviteteve të veta të rregullta, në funksion të afirmimit të barazisë gjinore, është dakorduar për organizimin e një tryeze, më 14 tetor, me temë “edukimi i nxënësve për barazinë gjinore”, ndërkohë që më 7 tetor do të bëjë një vizitë në maternitetin e Gjilanit, ku me lehona, mami e mjekë do të bisedohet rreth çështjeve gjinore.

Gjylshene Berishe, kryesuese e KBGJ, ka thënë se në shoqërinë tonë flitet shumë për barazi gjinore, por në realitet punohet pak.

“Për barazi gjinore duhet të flitet njëzet vjet para lindjes së një fëmije, derisa edukimi i tyre duhet të fillojë që nga lodrat, të cilat nuk duhet të jenë të ndara sipas gjinisë”, ka thënë Berisha.

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës shprehet e zhgënjyer me realitetin në Kosovë, ku ndodh që fëmijëve të gjinisë femërore t`i mohohet e drejta e lindjes, ndërsa fëmijët e gjinisë mashkullore priten edhe me daulle në oborre te spitaleve.

“Lindja e një fëmijë duhet të jetë gëzim në familje, pavarësisht gjinisë që ka”, ka thënë Berisha.

Duke kërkuar të mos paragjykohet gjinia i një fëmijë para lindjes, ajo ka thënë se edhe një vajzë mund të jetë shkencëtare që nesër mund ta shpëtojë botën.

Komentoni