Ekonomi

Beqaj: Pasuria më e madhe e Kosovës janë të rinjtë dhe të rejat

Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj ka deklaruar se pasuria më e madhe e Kosovës janë të rinjtë dhe të rejat me shkathtësi të dëshmuar tashmë në fushën e tokologjisë dhe inovacionit.

Këto komente Ministri Beqaj i ka bërë gjatë vizitës në Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK) ku bashkë me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës Kadri Veseli kanë parë punën e të rinjve që po bëjnë në fushën e inovacionit dhe teknologjisë informative.

“Pasuria më e madhe e Kosovës janë të rinjtë dhe të rejat të shkathëta në fushën e inovacioneve, që kanë ndikim të drejtpërdrejt në krijimin e ekonomisë digjitale. Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të përkrahë këta të rinj të cilët janë e ardhmja e vendit”, tha Ministri Beqaj.

Ndërsa Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka deklaruar se qëllimi i themelimit të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka qenë përkrahja e të rinjve me ide dhe kapacitete inovative, të cilët janë të shumtë.

“Qëllimi i themelimit të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka qenë përkrahja e të rinjve dhe të rejave të talentuara në fushën e inovacioneve dhe teknologjisë dhe kjo. Ekonomia e dijes dhe ajo digjitale janë çelësi i zhvillimit. Dekada e dytë e shtetit të Kosovës do të jetë dekada e një transformimi ekonomik. Dhe këtë mund ta bëjmë më se miri me rininë tonë inovative dhe kreative ”, tha Kryetari Veseli.

Vizita është realizuar në kuadër të ngjarjes “Kosova Digjitale-Open Day” që është organizuar nga ICK në kuadër të shënimit të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Ministri Beqaj dhe Kryetari Veseli kanë bashkëbiseduar më shumë të rinj dhe të reja, të cilët kanë prezantuara punën e tyre kreative dhe inovative. Idetë inovative e këtyre të rinjve kanë ndikuar në krijimin dhe vendeve të punës dhe rritjen e numrit të punësuarve në shumë kompani. /Kosova.info/​

Komentoni