Lajme

BE dhe UNDP organizojnë punëtorinë e radhës për Trashëgiminë Kulturore

Në kuadër të projektit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP), Ndërtimi i Besimit përmes Mbrojtjes Kulturore në Kosovë (CBCPK), projekt ky i financuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, sot në Lipjan është organizuar një punëtori inovative për trashëgiminë kulturore.

Punëtoria mblodhi 35 të rinj nga të gjitha komunitet që jetojnë në komunën e Lipjanit, për të mësuar se si të arrijnë tek zgjidhjet vetanake për mbrojtjen dhe promovimin e lokaliteteve të trashëgimisë kulturore.

“Ishte kënaqësi e veçantë të shohësh një grup kaq të madh të të rinjve të interesuar dhe të motivuar të mësojnë më tepër rreth trashëgimisë kulturore në Kosovë. Ajo që më bëri më së shumti përshtypje, është fakti së ata dolën me një mori idesh inovative për iniciativa gjithëpërfshirëse që do t’i implementonin së bashku. Pjesëmarrësit qenë shumë mirënjohës për organizimin e punëtorisë së sotme si dhe për vizitat në xhaminë e qytetit dhe kishën ortodokse serbe, vizita këto që shumica e tyre po i përjetonin për herë të parë,” shprehet Lorika Hisari, arkitekte dhe zyrtare e projektit.

Të rinjtë mësuan më shumë për projektin CBCPK, qëllimi i të cilit është të rrisë besimin mes komuniteteve, si dhe respektin dhe tolerancën për identitetin dhe trashëgiminë kulturore. Ata u informuan për trashëgiminë e pasur dhe të llojllojshme të Kosovës, për lokalitetet e trashëgimisë kulturore të komunës së Lipjanit, si dhe për praktikat e duhura ndërkombëtare të angazhimit të të rinjve në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, në mënyrë që të kuptojnë që trashëgimia kulturore nuk i përket vetëm së kaluarës, por edhe të ardhmes së tyre.

Gjatë seancave të punëtorisë, të rinjtë patën mundësinë të shprehin mendimet e tyre, të shtrojnë pyetje dhe të diskutojnë për trashëgiminë kulturore në mënyrë inovative duke sjellë ide kreative për të ri-imagjinuar trashëgiminë kulturore në komunitetet e tyre.

Xhamia e qytetit dhe kisha ortodokse serbe janë dy prej katër projekteve të CBCPK-së që do të implementohen në Lipjan. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*