Kulturë

Bashkëpunëtori dhe “zbuluesi” i grupit Pink Floyd, publikon albumin me sazet e Shqipërisë së Jugut

Njohësit e muzikës së viteve ’60 e kanë të dëgjuar emrin e Joe Boyd. Ai është personi që ka bërë regjistrimet për shumë emra të njohur, përfshirë grupin Pink Floyd. Në fakt, ai ka hapur lokalin UFO Club që do të bëjë revolucion në muzikën botërore. Në këtë lokal do të performojnë legjendat e rockut. Aty Pink Floyd do të shënojnë hapat e parë drejt famës botërore, ndërsa Boyd do të jetë promotor i incizimeve të para të grupit.

Boyd nuk ka prodhuar një album të ri prej të paktën një dekade. Por, ka vendosur ta thyejë “heshtjen” me një album me muzikë tradicionale shqiptare të regjistruar në Shqipëri.

Boyd jeton së bashku me të shoqen në Londër, ku apartamenti i tyre kumbon shpesh nga muzika shqiptare, në veçanti sazet e Jugut.

Në një intervistë radiofonike, që në sfond shoqërohet nga këngët e albumit, Boyd rrëfen historinë e “Tanës”, një prej pjesëve në albumin e tij.

“Në malet e Jugut, një bari dhe qeni i tij bien pre e banditëve. Ai e di se do ta vrasin. Delet ia kanë vjedhur, qenin ia kanë vrarë. Kjo këngë haste në forma të ndryshme në të gjitha trevat ku flitet shqip”, tregon Boyd.

Boyd është i pasionuar pas isopolifonisë labe. “Disa spekulojnë se isopolifonia është po aq e hershme sa Homeri. Ndoshta pikërisht në atë mënyrë këndonin sirenat që ndillnin Odisenë nga shkëmbinjtë”, thotë Boyd.

“Për dekada me radhë, kultura e sazeve u mbështet nga qeveria komuniste. Por izolimi politik dhe gjeografik dhe mungesa e studimeve të mirëfillta bëri që një numër krejt i vogël regjistrimesh të tilla të njihen në botën e jashtme. Ky album do t’i japë kulturës së sazeve mundësinë të njihet në botë”, thotë Lucy Duran, etnomuzikologe dhe producente.

“Kjo lloj muzike, shumë rajonale dhe e lokalizuar, është totalisht akustike. Është sublime. Nuk ekziston gjëkundi tjetër. Është gjë e bukur që më në fund i jepet mundësia për t’u dëgjuar në të gjithë botën”, thotë Duran. /TemA TV/

Komentoni