Ekonomi

Baraku-Xhema: Shpendi ma vodhi idenë për pastrimin e ajrit

Ka më shumë se dy vjet që Vesa Baraku-Xhema nga Prishtina ka kërkuar takim me kryetarin aktual të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmetin, por ky i fundit nuk ka gjetur kohë. Në pamundësi të takimit Baraku-Xhema përmes postës elektronike Ahmetit ia ka propozuar idenë për vendosjen e drunjve të mençur për ta pastruar ajrin në Prishtinë. Por, pas gati dy vjetësh kryetari Ahmeti idenë e saj e ka prezantuar si projekt të Komunës së Prishtinës, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Vesa Baraku-Xhema nga Prishtina ka më shumë se dy vjet që ka kërkuar të takohet me kryetarin aktual të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmetin për t’ia prezantuar atij idenë për vendosjen e drunjve të mençur me qëllim të pastrimit të ajrit shumë të ndotur në kryeqytet.

Por, edhe pas dy vjetësh pritjeje Baraku-Xhema nuk ka mundur ta realizojë një takim të tillë.

Në pamundësi të takimit direkt për t’ia promovuar idenë e saj drejtoresha e organizatës “Green City Prishtina” përmes postës elektronike ia kishte prezantuar idenë kryetarit Ahmeti.

Por, çuditërisht tek pas dy vjetësh kryetari Ahmeti idenë e Baraku- Xhemës e prezanton si projekt të Komunës së Prishtinës e që tej mase ka shqetësuar ideatoren.

Në një intervistë për gazetën “Zëri” Vesa Xhema, drejtoreshë e organizatës “Green City Prishtina”, pohon se ajo kishte dhënë idenë për këtë biofiltër dy vjet më parë. Ajo ka treguar si i ka ardhur ideja që në Prishtinë të vendoset një “City Tree” dhe se si tashmë dy vjet këtë ide ia kishte propozuar kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmetit.

“Unë si nënë dhe si qytetare e Prishtinës kam ardhur nga Gjermania me familje, kemi vendosur të kthehemi në Kosovë. Ideja jonë ishte që fëmijët të shkollohen dhe të edukohen në gjuhen shqipe. Ne në Kosovë fatmirësisht i kemi të gjitha kushtet, por për të pasur jetë të shëndoshë esenciale është ajri i pastër e kjo na ka munguar dhe po na mungon në Prishtinë. Për këtë qëllim unë e kam formuar organizatën ‘Prishtina Green City’”, ka treguar Baraku-Xhema për gazetën “Zëri”.

Komentoni