Kosova

Balotazh për mbledhje mekanike të votave

Në Kosovë, ka nisur edhe zyrtarisht fushata për rrethin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, që do të zhvillohen më 19 nëntor.

Gjatë pesë ditëve të ardhshme, kandidatët për kryetarë komunash do të kenë mundësinë që edhe një herë t’i shpalosin programet e tyre.

Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë thënë se janë përgatitur për garën e balotazhit që do të mbahet në 19 komuna të Kosovës nga 38 sa janë gjithsej.

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, vlerësojnë se partitë politike dhe kandidatët që garojnë në balotazh për kryetarë të komunave, gjatë fushatës pesë ditore, nuk do të kenë se çka të ofrojnë më shumë sesa në raundin e parë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.

Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se një fushatë parazgjedhore, jozyrtare, është duke u zhvilluar që pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, më 22 tetor. Megjithatë, sipas tij, kandidatët e partive të ndryshme për kryetarë komunash, të cilët kanë hyrë në garën me balotazh, nuk kanë ofruar asgjë konkrete dhe më tepër sesa që kishin ofruar me parë.

“Nuk kanë ndonjë adut, nuk kanë ndonjë element shtesë që do të mund t’i katapultonte ata, në raport me votat e 22 tetorit. Në fakt, balotazhi, për fakt të keq, në Kosovë është shndërruar në një mbledhje mekanike të votave. Kështu që është kohë e shkurtë për të joshur elektoratin me ndonjë ide të re, mirëpo, gjithsesi, partitë politike nuk kanë treguar se kanë ndonjë ide që do ta bënte ndryshimin, në raport me zgjedhjet e tetorit”, thotë Muhaxhiri.

Analisti tjetër i çështjeve politike, Ismail Hasani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shprehë mendimin se fushata për balotazhin do të jetë, siç e quan ai, uniforme dhe, sipas tij, në raste të caktuara edhe monotone.

“Të gjithë kandidatët në raundin e parë, më tepër kanë shkëmbyer fjalë të rënda, ofendime, denigrime të njërit subjekt apo kandidatë sesa që janë marrë me programet. Kështu që, fjalët i kanë konsumuar. Sa u takon programeve, nuk është se ndonjë parti politike ka veçori dalluese prej partive tjera. Kryesisht, gara politike do të jetë e lidhur me emrat, të ashtuquajturit ‘eminent’ të taboreve politike, në këtë rast, të partive të mëdha”.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të garojë në balotazh në 12 komuna. Në 9 komuna , do të garojë në balotazh Partia Demokratike e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje garon në 6 komuna, ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në 5 komuna. Aleanca Kosova e Re, Nisma për Kosovën dhe Alternativa kanë nga një komunë, në të cilën janë në garë me balotazh.

Por, cilat janë, sipas njohësve të zhvillimeve politike, fokuset më të rëndësishme të partive politike për komunat e caktuara?

Analisti Muhaxhiri thotë se secila parti i ka prioritetet e veta dhe ato janë të qarta në angazhimin e tyre në fushata.

“E kemi parë, për shembull, që Lëvizja Vetëvendosje, fokusin kryesor e ka në Prishtinë. PDK-ja fokusin kryesor e ka në Prizren, ndërsa LDK-ja e ka në Gjilan. Në Prishtinë, më shumë e ka fokusin Vetëvendosje sesa LDK-ja, sepse Prishtina për Lëvizjen Vetëvendosje është ‘të jesh ose mos të jesh”.

Analisti Hasani, vlerëson se gara në balotazh për të parin e Komunës së Prishtinës do të jetë jo vetëm interesante, por edhe garë e ngushtë.

“Do të jetë garë e ngushtë. Normalisht, me këto incidentet, të cilat Vetëvendosje po i bën, me qëllim ose pa qëllim, që nuk pranon debatin televiziv. Ndërsa, për sa i takon dhënies së votave, mendoj se do të jetë një situatë, e cila më së tepërmi u shkon për shtati partive, të cilat kanë pasur fushatë më të qetë zgjedhore në raundin e parë, në këtë rast, LDK-së”.

Partitë politike dhe kandidatët e tyre që garojnë në balotazh, kanë vazhduar fushatën jozyrtare që nga koha e shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ-ja për rrethin e parë të zgjedhjeve lokale. Madje, gjatë kësaj periudhe disa nga partitë politike që pritet të garojnë në balotazh për zgjedhjet lokale, në komuna të caktuara kanë lidhur edhe koalicione me subjektet tjera politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë po i bën përgatitjet finale për mbajtjen e balotazhit për organet vetëqeverisëse lokale, që do të mbahen në 19 komunat e Kosovës.

Zyrtarët e KQZ-së kanë theksuar se më 19 nëntor, do të jenë të hapura gjithsej 1 mijë e 777 vendvotime, në 614 qendra të votimit nga 899 sa kanë qenë në raundin e parë më 22 tetor. Sipas tyre, të drejtë vote kanë 1 milion e 353 mijë e 613 votues.

Bazuar në rezultatet përfundimtare të KQZ-së, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale që janë mbajtur më 22 tetor, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në 4 komuna, Partia Demokratike e Kosovës, 1 komunë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në nivel vendi ka arritur të fitojë në 2 komuna.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të fitojë në rrethin e parë në asnjë komunë, sikurse Aleanca Kosova e Re, Nisma dhe Alternativa.

Kurse, Lista Serbe ka fituar 9 komuna.

Komentoni