Lajme

Baki Ymeri: Rumania mund ta njohë së shpejti Kosovën

Rumania është në mesin e pesë vendeve të BE-së që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Por ky qëndrim mund të ndryshojë shpejt. Kështu mendon veprimtari i çështjes kombëtare në Bukuresht të Rumanisë, shkrimtari dhe përkthyesi i shquar Baki Ymeri.

Në një intervistë për Radio Kosovën, ai thotë se MPJ duhet të lobojë më shumë tek autoritet shtetërore rumune, ndërsa thekson se vetë është në dispozicion të ndihmojë me lidhjet dhe kontaktet që ka krijuar me vite me politikanët rumunë dhe çarqet kulturore atje.

Qëndrimi rumun ndaj Kosovës mund të ndryshojë në muajin dhjetor, kur mbahen zgjedhjet e reja parlamentare. Ka shumë gjasa që zgjedhjet t’i fitojë partia e politikanit me prejardhje vllaho – shqiptare Viktor Ponta, thotë në intervistën ekskluzive për Radio Kosovën, veprimtari i shquar, përkthyesi, publicisti e shkrimtari i njohur shqiptar që jeton në Bukuresh të Rumanisë Baki Ymeri. Duke folur për arsyet pse Rumania nuk e ka njohur deri më tani pavarësinë e Kosovës, veprimtari Baki Ymeri thekson:

“Arsyet pse Rumania nuk e ka njohur ende Kosovën janë politike dhe varet edhe nga fakti se kush e drejton Rumaninë, kush është në pushtet. Derisa ishte kryeministër zoti Viktor Ponta, i cili ka dëshmuar vetë prejardhjen vllaho-shqiptare nga Voskopoja, ai i kishte deklaruar Sekretarit amerikan të shtetit se Rumani do të njohë pavarësinë e Kosovës. Kjo kishte ndodhur në prag të mbajtjes së zgjedhjeve të fundit në Rumani ku për fat të keq partia e zotit Ponta humbi, kurse ai mbeti pa e realizuar premtimin. Tani në zgjedhjet që do të mbahen më 11 dhjetor në Rumani shpresojmë të fitojë zoti Pona dhe në rast se ndodh kjo do të pasojë njohja e pavarësisë së Kosovës.”

Veprimtari Baki Ymeri kërkon më shumë aktivitet nga Ministria e Jashtme e Kosovës në fushën e lobimit në Bukuresht, ndërsa vetë shprehet i gatshëm të shërbejë si urë lidhëse mes zyrtarëve të Kosovës dhe atyre rumunë dhe të vërë në shërbim lidhjet dhe autoritetin e tij të krijuar me dekada në Bukuresht:

“ Për fat të keq deri më tani askush nga Ministria e Jashtme e Kosovës nuk me ka kontaktuar. Por unë dua të falënderoj me këtë rast Ministrinë e Kulturës të Republikës së Kosovës, e cila sponsorizon revistën ‘Kosova’ të cilën e shpërndajmë në çarqet kulturore, intelektuale dhe politike në Rumani. Është një revistë ku afirmohet në mënyrë pozitive letërsia dhe histori e Kosovës. Ju falënderoj shumë për pyetjen, duke shpresuar se dikush nga MPJ do të na kontaktojë përmes facebookut apo e-malit, apo numrit të telefonit, që të shohim se çka mund të bëjmë së bashku”

Ymeri si veprimtar i vjetër i çështjes kombëtare në Bukursht thotë se “MPJ e Kosovës duhet të vendosë kontaktet të drejtpërdrejta me Ministrinë e Jashtme të Rumanisë: Ministri i Jashtëm me homologun e tij dhe Presidenti i Kosovës të kontaktojë presidentin Rumun Klaus Johanes”.

Ai thotë se arsyeja e vetme që Rumania nuk e ka njohur deri më tani pavarësinë e Kosovës është politike dhe lidhet me pozitën politike të dy milionë hungarezëve që jetojnë në Rumani.

“Komuniteti hungarez festoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe kjo hidhëroi shuam rumunët. Mirëpo, rasti i hungarezëve në Rumani nuk mund të krahasohet me rastin e shqiptarëve të Kosovës, pasi hungarezët jetojnë në mes të Rumanisë larg Hungarisë dhe kanë të gjithë të drejtat e garantuar me kushtetutë”, shprehet Ymeri.

Veprimtari Baki Ymeri i cili që nga viti 1971 jeton në Rumani, i tha Radio Kosovës se shqiptarët e Rumanisë kanë qenë gjithmonë aktiv veçanërisht për Kosovën dhe kështu do të mbetet edhe në të ardhmen, sidomos në kolonin shqiptare të Bukureshtit.

“Që nga viti 1971 prezantojmë në mënyrë masovike Kosovën letrare, por jo vetëm Kosovën letrare edhe atë politike e historike. Rezultate ka. Kemi krijuar mjaft dashamirë dhe miq në mesin e shtresave intelektuale, kulturore dhe politike në Rumani. Njëri ndër ta është dhe përfaqësuesi i parë i Zyrës së Rumanisë në Kosovë, zoti Gjergj Bukura, i cili ende vepron si diplomat në kuadër të MPJ të Rumanisë. Kemi miq të shumtë si është publicisti i njohur Iberjus Kuju, këshilltar qeveritar i Rumanisë. Kështu që një kontakt me Ministrinë e Jashtme të Republikës së Kosovës në këtë drejtim do të ishte shumë pozitiv” shprehet Ymeri për RTK- Radio.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*