Ekonomi

Bajrami: Qëllim kemi përmirësimin e infrastrukturës në komuna

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami dhe Ministri i Financave, Avdullah Hoti, vizituan Komunën e Vitisë. Ata në takim u priten nga kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti.

Në këtë takim u bisedua për forcimin e bashkëpunimit institucional mes MTI-së dhe Komunës së Vitisë, në funksion të përmirësimit të ambientit të bërit biznes në këtë komunë. Kryetari Haliti i informoi ministren Bajrami dhe ministrin Hoti me punët që janë bërë dhe po bëhen nga Komuna e Vitisë, sa i përket lehtësimit të aktivitetit afarist të bizneseve.

Nga ana tjetër, ministrja Bajrami u zotua se Qeveria e Republikës së Kosovës do të punojë ngushtë me Komunën e Vitisë dhe me të gjitha komunat e Kosovës, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës dhe përmirësimit të kushteve të punës së bizneseve dhe përmirësimin e jetëss ë qytetarëve. Më tej, Ministrja Bajrami informoi kryetarin e Komunës së Vitisë dhe përfaqësuesit e shoqatës së biznesit në këtë komunë se shumë shpejt do të organizohet një tryezë për të bashkëbiseduar me bizneset e kësaj komune. Gjithashtu, ministrja Bajrami shprehi përkrahjen e saj për krijimin e Zonës Ekonomike në komunën e Vitisë.

Ministrja Bajrami, Ministri Hoti dhe kryetari i komunës së Vitisë me këtë rast vizituan edhe Zyrën për Investime dhe Mbështetje të Bizneseve në kuadër të Kuvendit Komunal të Vitisë, ku u informuan për gjendjen e bizneseve si dhe për ndihmën që ofron kjo qendër për zhvillimin e biznesit si dhe thithjen e donacioneve të jashtme për Komunën e Vitisë.

Gjatë kësaj vizite, Ministrja Bajrami së bashku me Ministrin Hoti dhe kryetarin e komunës së Vitisë vizituan edhe kompaninë EuroFisi ku u njoftuan nga afër për aktivitetet e kësaj kompanie. /KI/

Komentoni