Kosova

Bahtiri dënon ashpër arrestimin e Thaçit

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka dënuar ashpër arrestimin nga ana e policisë kufitare serbe të nënkolonel Nehat Thaçit, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë.

Kryetari Bahtiri thotë se arrestimi i nënkolonelit të policisë së Kosovës nga ana e policisë së Serbisë, nën akuzën për terrorizëm, është një veprim i papranueshëm që ka zgjuar indinjatë të thellë tek të gjithë qytetarët e Mitrovicës dhe të rajonit.

“Nënkolonel Thaçi është një drejtues i shkëlqyeshëm i policisë rajonale në Mitrovicë. Që nga ardhja e tij në krye të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë, krimi, kontrabanda dhe dukuritë tjera joligjore dhe keqbërëse, kanë shënuar rënie të vazhdueshme. Falë punës së tij, bashkëpunëtorëve të tij dhe policëve që ai i mbikëqyrë, Mitrovica sot është një nga qytetet më të sigurta në Republikën e Kosovës. Sigurisht se kjo ju pengon grupeve kriminale dhe pushtetit të Serbisë, që dëshiron që në Mitrovicë dhe Kosovë mos të ketë stabilitet, andaj edhe ka arrestuar nënkolonel Thaçin”, thotë kryetari Bahtiri.

Kryetari Bahtiri kërkon që autoritetet më të larta të Republikës së Kosovës dhe ato ndërkombëtare, të shtojnë presionin tek autoritetet e shtetit të Serbisë për lirimin sa më parë të nënkolonel Thaçit.

Komentoni