Kosova

Azem Syla mbetet në paraburgim

Azem Sylës i është refuzuar kërkesa për lirim nga paraburgimi.

Është refuzuar nga gjyqtarja e EULEX-it Jennifer Seal kërkesa për lirimin e Azem Sylës nga paraburgimi.

Lajmin për refuzimin e heqjes së paraburgimit për Sylën e kanë konfirmuar burime të KALLXO.com.

Kërkesën për lirimin e Azem Sylës nga paraburgimi e kishte bërë avokati i tij Tomë Gashi me pretendimin se dëshmitari i mbrojtur 2 ka mohuar ndikimin e tij nga Syla.

I kontaktuar nga KALLXO.com në lidhje me refuzimin e kërkesës së tij, Gashi tha se ende nuk e ka marrë vendimin, ndërsa se nesër e kanë ftuar në gjykatë për ta marrë atë.

Kur e përfundoi dëshminë e tij dëshmitari i mbrojtur 2 më 29 shtator, Tomë Gashi tha për KALLXO.com se kanë përfunduar arsyet e mbajtjes në paraburgim të Sylës.

Sylës iu caktua paraburgimi nga Gjykata e Apelit më 23 shtator, gjashtë ditë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë ia caktoi atij masën e paraqitjes në stacionin e policisë.

Azem Syla u kërkua në shtëpi, por nuk u gjet gjatë një aksioni të madh të Policisë së EULEX-it dhe asaj të Kosovës të zhvilluar më 27 prill. Dy ditë më vonë ai u dorëzua në polici.

Ditën kur u kërkua në shtëpi Syla, u arrestuan edhe Nuhi Uka, i cili ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë dhe Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla e Lubisha Vujoviq.

52 persona, mes tyre edhe Azem Syla dyshohen për tjetërsim të ish-pronave shoqërore në Çagllavicë dhe Llapnasellë.

Komentoni