Kosova

Avokati: Shkumbin Mehmeti nuk është kredibil

Muhamet Halimi, ish-avokat i Florim Ejupit, tash mbrojtës i Faik Shaqirit, i konsideron trillime Të gjitha deklaratat e të dënuarit për terrorizëm, Shkumbin MehmetiT, rreth vrasjeve politike të pasluftës në Kosovë. Madje mendimin e tij e arsyetoi nëpërmjet një anekdote.

“Prej që ju ka kall bishti atij, u kall krejt dynjaja”, thotë Muhamet Halimi, kur pyetet për akuzat e një nate më parë që një i dënuar me mbi 30 vite burgim për një rast sulmi terrorist që kishte ndodhur në vitin 2004 ndaj pjesëtarëve të OSBE’së, bëri ndaj një ish-klienti të tij dhe një klienti aktual që e mbron në të njëjtin rast me Shkumbin Mehmetin.

Ky i fundit, në një intervistë për Klan Kosova, që u transmetua të enjten mbrëma, pretendoi se vrasjen e policës Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, në vitin 2003, nuk e kreu i dënuari për këtë krim Bedri Krasniqi, por dy persona të tjerë.

Të njëjtit, i dënuari tha se, si grup kriminal të organizuar për likuidimin e figurave politike të LDK’së, janë të përfshirë edhe në vrasjen e Tahir Zemajt dhe nipit të tij.

“Është dënu Bedri Krasniqi. E ka kry vrasjen Faik Shaqiri dhe Florim Ejupi”, tha Mehmeti, në intervistën e tij televizive nga burgu i sigurisë së lartë.

“Kam jap deklaratë në prokurori speciale për këtë”, pohoi tutje i dënuari për vrasjen e një polici të UNMIK’ut dhe një të Kosovës, në vitin 2004.

E për këto deklarata, thotë të jetë në dijeni që gati 10 vjet, avokati që mbrojti dy të apostrofuarit në përballjet e tyre me drejtësinë, për sulmin terrorist të 2004’ës.

Ai konfirmon që Mehmeti ka dhënë në prokurori deklaratë sa ish-klienti i tij Florim Ejupi dhe klienti aktual Faik Shaqiri ekzekutuan pjesëtarët e policisë nga Deçani.

“Ai njeri i trillon prej kokës së vet, pa u përputh me asnjë provë të vetme. Ku mundet gjykatë ose prokuror me u marrë me ni rast të tillë. Po mundohet që sa vjet. Por qato raste absolut nuk është tu mujtë me lidhë asnjë gjë të vetme me dëshminë e tij”, tha Halimi të premten për Gazetën Express.

“Mu po me vjen keq që janë duke u keqpërdorur ndjenjat e familjarëve që kanë përjetuar ndjenjën ma të keqe, humbjen e familjarëve. Ky rast është në hetim nga e EULEX’it që gati 10 vjet. Absolut nuk është kurrfarë risie se as organet e ndjekjes nuk janë marrë me këtë rast dhe me deklaratat e tij”, thotë avokati Halimi.

Madje ai thotë se fakti se Shkumbin Mehmeti është i dënuar me mbi 30 vite burgim për terrorizëm, i bën jo kredibile deklaratat e tij. Ndërkohë që ndaj Shaqirit ende nuk ka përfunduar gjykimi për të njëjtin krim, derisa ndaj Ejupit kishin pushuar hetimet vite më parë.

“Është një njeri i dënuar me 30 vjet burg, dhe nga kushtet e burgut ai po mundohet me përfitu diçka për veti në mënyrën më të rëndë që i prek ndjenjat e njerëzve”, konsideroi avokati i Faik Shaqirit.

“Përmendsh i di ato deklarata. Që 10 vjet jon ka sillen. Prej që ju ka kall bishti atij, u kall vrejt dynjaja”, thotë ai.

Shkumbin Mehmeti në intervistën e publikuar një natë më parë pretendoi se për vrasjen e policës Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklajt, që ishin duke hetuar vrasjen e Tahir Zemajt, grupi kriminal pjesë e së cilës thotë se ka qenë edhe vetë ai, kishin marrë mbështetje edhe nga vëllai i deputetit të AAK’së, Lahi Brahimaj, Nazmiu.

“Për vrajsen Ka marrë përkrahje të fortë nga vëllai i Lahi Brahimajt, Nazmi Brahimaj”, ka deklaruar Mehmeti në intervistë.

Komentoni