Kosova

Avokatë të shteteve të ndryshme të interesuar për Specialen

Gjykata Speciale për Kosovën bënë të ditur se ka pranuar një numër kërkesash të avokatëve nga vendet e ndryshme, të cilët do të përfaqësojnë të akuzuarit dhe viktimat.

Në një përgjigje dhënë për Radio Kosovën, zyra për informim e Gjykatës Speciale nuk ka dashur të zbulojë më shumë detaje, por ka thënë se procesi i pranimit në Listën e Mbrojtësve është një proces pa afate pranimi.

Një dokument i njohur si “Direktiva për Mbrojtësit”  e miratuar në nëntor të vitit të kaluar, nga Gjykata Speciale ka bërë që  të gjithë avokatët, që e kanë në plan të punojnë për ndonjë të dyshuar, akuzuar apo viktimë, duhet  të licencohen edhe një herë nga Gjykata Speciale.

Në një përgjigje për Radio Kosovën, zyra për media e Gjykatës Speciale kanë thënë se kanë marrë një numër kërkesash nga avokatë të shteteve të ndryshme.

“Deri tash, Zyra e Mbrojtjes dhe Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave e Dhomave të Specializuara të Kosovës kanë marrë një numër kërkesash nga avokatë nga shtete të ndryshme. Për momentin nuk mund të japim informacion konkret për arsye se procesi i përzgjedhjes është në vijim e sipër. Mirëpo Lista e Mbrojtësve do të dalë në faqen tonë në Internet në një fazë të mëvonshme, “është përgjigja e tyre.

Ata kanë thënë se “procesi i pranimit në Listën e Mbrojtësve është një proces i hapur, pa afate të përcaktuara për dërgimin e kërkesave.”

Në bazë të “Direktivës për Mbrojtësit”  të drejtë për të qenë pjesë e listës së mbrojtësve të  akuzuarave kanë të gjithë avokatët që kanë të paktën dhjetë vjet përvojë të dëshmuar në fushën e së drejtës dhe procedurës penale vendore  ose  asaj ndërkombëtare.

Për të qenë avokat bashkë mbrojtës, duhet të kenë të paktën shtatë vjet përvojë, ndërsa për pranim në Listën e Mbrojtësve të viktimave, përfshihet të paktën pesë vjet përvojë pune e dëshmuar në çështje penale me viktima.

Siç njoftojnë ekspertë të fushës, të pandehurit dhe viktimat  do të kenë të drejtë t’i përzgjedhin avokatë vetëm në bazë të listës. Dhe vetëm pastaj  gjykata do t’i autorizon ata avokatë të mbrojnë të akuzuarit ose viktimat. Palët nuk do të kenë  të drejt të propozojnë ose t’i emërojnë atje avokatët e tyre.

Në korrik të viti të kaluar Dhomat e Specializuara janë funksionalizuar,  por  Prokuroria e Specializuar deri më tani nuk ka ngritur asnjë aktakuzë.

Komentoni