Lajme

‘Audi Q7’ e Mustafës ende në garazhin e komunës

Vetura e markës “Audi Q7”, e cila ishte blerë mbi 76 mijë euro për ish-kryetarin e Komunës së Prishtinës (tani kryeministër i Kosovës), Isa Mustafa, vazhdon të mbahet në garazhin e Komunës.

Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të vitit 2013, Shpend Ahmeti, atëherë kandidat për kryetar të kryeqytetit, kishte premtuar se do ta shiste këtë veturë menjëherë porsa do të zgjidhej kryetar i Prishtinës dhe paratë do t’i dedikonte për mirëqenien sociale të qytetarëve.

Mirëpo, ndonëse ka pasur përpjekje për ta shitur, vetura e shtrenjtë vazhdon të qëndrojë në parkingun e Komunës.

I kontaktuar nga KALLXO.com, zyrtari për marrëdhënie me publikun i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, tha se vetura e ish-kryetarit Mustafa nuk është përdorur asnjëherë dhe se ajo po mbahet në garazhin e Komunës.

Tahiri tregoi se për mirëmbajtjen e kësaj veture nuk është shpenzuar asgjë.

Vetura sipas tij është e çregjistruar që nga viti 2014 dhe se nuk është përdorur asnjëherë që kur Shpend Ahmeti është zgjedhur në krye të kryeqytetit.

Po ashtu, zyrtari për informim tha se së shpejti Komuna e Prishtinës do të nxjerrë për shitje “Audi Q7” dhe disa vetura të tjera.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*