Lajme

Arta Imeri zgjedhet kryetare e Forumit te Gruas në Vushtrri

Nën përcjelljen e himnit kombëtar dhe atij të Kosovës si dhe me një pjesëmarrje të madhe të grave, Aleanca Kosova e Re ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor të Forumit të Gruas në degën e Vushtrrisë.

Përveç koordinatorit të zgjedhjeve ne nivel qendror, Vesel Makolli, të pranishëm në Kuvend ishin edhe koordinatorja e forumit të gruas në nivel qendror Mirlinda Gashi, koordinatori i degës së AKR-së në Vushtrri Nasuf Aliu, kryetari i komunës së Mitrovicës  Agim Bahtiri, drejtoresha për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim rural nga radhët e AKR-së në Vushtrri, Arta Haxhaj si dhe shumë anëtare të tjera të partisë.

Koordinatori i AKR-së në nivel qendror Vesel Makolli tregoi se ndjehet i privilegjuar që ndodhet në mesin e tërë këtyre delegateve.  Ai tha se AKR-ja është duke u rritur vazhdimisht dhe nën përcjelljen e humanistit të madh Behgjet Pacolli, Kosova mund të largohet nga kjo gjendje në të cilën ndodhet sot. Ndërsa koordinatorja e Forumit të Gruas, në nivel qendror Mirlinda Gashi i falënderoi të gjithë për pjesëmarrje dhe theksoi se AKR gjithmonë e ka përkrahur fuqizimin e femrave dhe këtë do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen.

Punimet e Kuvendit i përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës nga radhët e AKR-së, Agim Bahtiri, i cili tha se ndjehet krenar që ndodhet në mesin e atyre që kontribuuan më së shumti për Kosovën, pra në mesin e nënave shqiptare. 

Kuvendin e përshëndeti edhe drejtoresha për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim rural, nga radhët e AKR-së në Vushtrri, Arta Haxhaj, e cila tregoi se nuk mungon interesi dhe bashkëpunimi i grave të Vushtrrisë. Ajo theksoi se roli i gruas në AKR do të jetë vendimmarrës. “AKR do t’iu jap hapësirë grave në politikën e Kosovës dhe i ftojë të gjitha të bashkohen dhe të fillojnë ndryshimin”, ka thënë ajo.

Ndërsa koordinatori i degës së AKR-së në Vushtrri, Nasuf Aliu, i falënderoi gratë për pjesëmarrje dhe theksoi se qëllimi kryesor është zhvillimi i arsimit. “Ekzistojnë ligje dhe rregullore të cilat nuk zbatohen dhe individualisht nuk mund të bëjmë asgjë, mirëpo duhet të bashkohemi që Vushtrria të bëjë zgjidhjen më të mirë të mundshme” tha ai, duke shtuar se gratë e Vushtrrisë duhet të ndjehen të lirshme, t’i qajnë hallet e tyre dhe të kërkojnë zgjidhje për to.

Kuvendi i ka vazhduar punimet ku nga procesi i rregullt zgjedhor, në prani të 174 delegateve, me shumicë votash, kryetare e Forumit të Gruas së degës së AKR-së në Vushtrri, u zgjodh Arta Imeri.

Kryetarja e sapo zgjedhur, i falënderoi të gjitha delegatet për besimin e dhënë dhe tha se do të mundohet të implementojë plan programin në e AKR-së, në avancimin e grave të Vushtrrisë dhe së bashku t’i kalojnë të gjitha barrierat.

Kuvendi më pas zgjodhi edhe kryesinë 16 anëtaresh të Forumit të degës. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*