Lajme

Arrestohen tre veta që planifikonin sulme në Francë

Shtatë njerëz të lidhur me rrjetet terroriste, së paku tre prej të cilëve kanë planifikuar sulme, janë arrestuar këtë muaj në Francë, tha ministri i Brendshëm i këtij vendi, Bernard Cazeneuve.

Në një konferencë për media, ai tha se policia franceze, në gjysmën e parë të vitit 2016, ka arrestuar më shumë njerëz me lidhje terroriste sesa në tërë vitin e kaluar.

Megjithatë, ai nuk dha detaje për arrestimet e gushtit.

“Siguria dhe lufta kundër terrorizmit janë tani top-prioritete për ne evropianët. Pasi përballemi me kërcënimin terrorist, është thelbësore të rriten masat kolektive të sigurisë”, tha Cazeneuve në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, në Paris.

Franca është goditur nga disa sulme terroriste gjatë vitit të kaluar.

Sulmi i tillë i fundit ka ndodhur më 14 korrik, kur një tunizian, 31 vjeç, ka përplasur kamionin 19-tonësh për turma njerëzish në qytetin Nicë, duke vrarë 86 veta dhe plagosur mbi 400 të tjerë.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*