Kulturë

Arkeologët anglezë zbulojnë një kala dhe një port nënujor në Vlorë

Ekspertë nga Southamptoni kanë bërë një zbulim të madh në një vend nënujor të një vendbanimi romak në Shqipëri.

Një ekip i udhëhequr nga arkeologë të Universitetit të Southamptonit kanë zbuluar mbetjet e pazbuluara më parë të një kalaje dhe një porti në bregdetin shqiptar, duke e bërë atë vend shumë më të rëndësishëm sesa që është menduar më parë.

Ekipi i akademikëve kanë qenë duke e hulumtuar në Triport, afër portit modern të Vlorës, dhe zhytësit kanë gjetur edhe tetë akra të strukturave të fundosura, hapësirë kjo që i është bashkuar pjesës tjetër të zbuluar që ka qenë rreth 12 akra, transmeto Koha.net.

Ky zbulim lë të kuptohet se Triporti ka qenë një liman për një vendbanim të madh gjatë periudhës Romake, dhe mund të ketë qenë i ndërlidhur me qytetin antik Aulon, tani i njohur si Vlorë.

Ekspedita e 14 hulumtuesve është drejtuar nga Peter Campbell nga Universiteti i Southamptonit, si dhe nga Neritan Ceka nga Instituti Shqiptar i Arkeologjisë dhe nga Agjencia Kombëtare Detare e Shqipërisë.

“Kemi gjetur indikatorë të ndryshimit antik të nivelit të detit, tregti greke e romake (shekulli 4 para Krishtit deri në 7 pas Krishtit), dhe të dhëna bashkëkohore ambientale. Por një prej zbulimeve më të rëndësishme kanë qenë mbetjet e shumta të fundosura që na ka shtyrë të rimendojmë rëndësinë e Triportit si liman romak”, ka thënë Campbell, raporton “DailyEcho”.

“Shqipëria ka disa prej ujërave më të rëndësishëm të Mesdheut. Kjo vijë bregdetare ka qenë qenësore për tregtinë antike dhe vazhdon të jetë e rëndësishme si zonë takimi për specie nga deti Adriatik dhe ai Jon”, ka shtuar ai.

Triport u ka ofruar anijeve ankorim të sigurt dhe ka qenë i lidhur me qytete antike përmes rrugëve të mëdha romake. Vendi për herë të parë është eksploruar në shekullin e 20-të, me një studim të mëtejmë të zhvilluar në fillim të viteve 2000.

Detet shqiptare kanë një prej trashëgimive më të mira nënujore në Mesdhe, e cila në epokën e komunizmit ka qenë e ndaluar për zhytje “cuba” dhe për zhvillim detar.

Projekti ka zbuluar ankore të punuara nga guri, plumbi dhe hekuri, si dhe amfore, kontejnerë të mëdhenj, që datojnë nga viti 300 para Krishtit e deri në Mesjetë.

Artefakte tjera antike të gjetura në vend përfshijnë pllaka çatish për shtëpi, pjata e ibrikë për ujë, të cilat janë lënë të paprekura ku kanë qenë për të ardhmen.

2016082111084344120160821110851611

Komentoni