Sport

Ardhja e Doellmanit fut në “karantinë” Kosovën

Stërvitja e së enjtes e Përfaqësueses së Kosovës në basketboll ishte e veçantë për dy gjëra. E para, pasi ishte stërvitja e parë me dy amerikanë të natyralizuar, dhe e dyta, për shkak të pranisë së yllit të Barcelonës, Justin Doellman.

Doellman ka arritur të mërkurën mbrëma në Prishtinë dhe menjëherë të enjten është futur nën urdhrat e përzgjedhësit Arben Krasniqi. Edhe pse ishte vetëm stërvitja e parë për Doellmanin, ai nuk u kursye, shkruan sot Koha Ditore. Shkonte mirë me të gjithë bashkëlojtarët e tjerë dhe mundohej me përpikëri të zbatonte kërkesat e përzgjedhësit Krasniqi.

Krahas Doellmanit, në stërvitje ishte edhe Shawn Jones që iu bashkua ekipit një ditë më herët se Doellmani. Ndërkohë, Scott Bamforth është kthyer në shtëpi dhe pritet t’i bashkohet ekipit gjatë turneut në Itali, pasi gjatë asaj kohe, Jaren Sina ka obligime ndaj kolegjit të tij në SHBA dhe do të largohet për pak ditë.

Prej së enjtes e deri të hënën, seancat stërvitore të Kosovës do të mbahen të mbyllura. E gjithë kjo për shkak të kërkesave të mëdha të mediumeve për të intervistuar Doellmanin, i cili së fundi ka vazhduar kontratën edhe për dy vite tjera me skuadrën e Barcelonës.

Komentoni