Ekonomi

Aprovohet Rregullorja për monitorimin e “Trepçës”

Bordi dhe Menaxhmenti i AKP-së, sot ka pasur prioritet Trepçën në diskutimet e tyre.

Në këtë mbledhje u shqyrtua raporti i punës së ndërmarrjes Trepça, si dhe u aprovua Rregullorja për monitorimin e ndërmarrjes shoqërore “Trepça” nën administrimin e AKP-së.

U diskutua edhe në lidhje me kërkesat për ndryshimet e Ligjit të AKP-së, me ç’rast komisioni i formuar nga Agjencia për këtë qëllim është duke hartuar propozime për ndryshime dhe përmirësime të përmbajtjes së ligjit, të cilat propozime do t’u dërgohen organeve qendrore vendimmarrëse, u tha në komunikatën e Agjencionit Kosovar të Privatizimit.

Bordi ka aprovuar raportet e pagesave për kreditorët e 11 ndërmarrjeve shoqërore me shumë rreth 250 mijë euro. Po ashtu, Bordi ka aprovuar edhe raportet e komisionit për shitjen e 28 banesave të NSh-ve tek shfrytëzuesit e ligjshëm bazuar në Ligjin në fuqi.

Gjatë kësaj mbledhje u shqyrtua edhe kërkesa e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor për dhënien e pëlqimit për lejimin e bartjes së pronës së NSh “Auto Moto” dhe NSh “Ina Zagreb” për nevojat e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganës së Kosovës, e paraqitur konform vendimit përfundimtar të Qeverisë dhe e miratoi këtë kërkesë.

Bordi shqyrtoi dhe aprovoi një numër të qiradhënieve të aseteve të NSh-ve. Po ashtu janë shqyrtuar edhe çështje të tjera me rëndësi. /KI/

Komentoni