Kosova

Apostolova: Demarkacioni dhe lufta ndaj korrupsionit, kushte për liberalizim të vizave

Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës, takoi sot udhëheqësen e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuese Speciale e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Fillimisht, kryetarja e Komisionit Njomza Emini, e njoftoi znj. Apostolova lidhur me punën dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Komisioni, si dhe angazhimet e parapara në agjendën e Komisionit, e që kanë të bëjnë me integrimet evropiane.

Duke shprehur bindjen për një bashkëpunim të ngushtë të Komisionit me Zyrën e BE-së, kryetarja Emini, vuri në spikamë bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet anëtarëve të komisionit, për të cilin theksoi se i tejkalon agjendat partiake. 

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Apostolova, ndërkaq, nga ana e saj foli për procesin e integrimit të Kosovës në mekanizmat evropianë, duke nënvizuar me këtë rast nevojën e angazhimit të të gjithëve për implementimin e Marrëveshjes së Kosovës dh BE-së, përkatësisht, jetësimin e marrëveshjes së MSA-së.

Duke folur për liberalizimin e vizave, çështje kjo e cila dominoi gjatë këtij takimi, Apostolova, nënvizoi se për të arritur këtë duhet përmbushur dy kritere: së pari, ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi dhe kushti i dytë, tha ajo, është luftimi i korrupsionit.

Më pas, përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Apostolova, kërkoi nga anëtarët e komisionit që të ushtrojnë ndikimin e tyre ndaj Qeverisë së vendit, në mënyrë që marrëveshja për MSA-në të jetësohet.

Lidhur me luftën kundër korrupsionit, ndërkaq, ajo tha se duhet dëshmuar vullnet dhe përkushtim për luftimin e tij. Foli më pas edhe për dialogun me Serbinë, për të cilin vlerësoi se është në funksion të fqinjësisë së mirë, duke shtuar po ashtu se marrëveshjet që dalin gjatë bisedimeve duhet implementuar në tërësi.

Nënkryetari i Kuvendit, njëherësh anëtar i këtij Komisioni, Xhavit Haliti, ndërkaq, pasi që vlerësoi se kriteret e vendosura për liberalizimin e vizave janë të tepërta, ai po ashtu nënvizoi se kriteri i dytë, ai për luftën kundër korrupsionit nuk u është thënë gjatë takimeve që kanë pasur me përfaqësuesit e BE-së.

Folën më pas edhe deputetët: Donika – Kadaj Bujupi, Kujtim Paçaku, Arben Gashi, Vjosa Osmani, Time Kadrijaj, Fatmir Xhelili dhe Haxhi Shala, të cilët nënvizuan se janë të përkushtuar që të punojnë në agjendën e integrimeve evropiane, ndërkaq, lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, përfaqësuesit e opozitës thanë se janë kundër versionit të marrëveshjes së nënshkruar. /KI/

Komentoni