Kosova

Ankohen në Polici prindërit e foshnjës që vdiq në QKUK

Rinor e Elhame Kelmendi prindërit e foshnjës dymuajshe që vdiq para disa ditësh në QKUK janë ankuar në polici për këtë vdekje.

Disa ditë më parë, Rinor e Elhame Kelmendi humbën fëmijën e tyre 2 muajsh, ndërsa dje së bashku shkuan për t’u ankuar në polici për këtë vdekje që thonë se ndodhi për vonesë të intervenimit të nevojshëm kirurgjik.

inor Kelmendi, babai i foshnjës së vdekur tregoi për Kallxo.com arsyet e ankesës.“Fëmija jonë ka shku, po mos të shkojnë edhe fëmijët tjerë”, tha Kelmendi.

Më 10 shtator, në orën 22:00, foshnjës së Rinor e Elhame Kelmendit i është paraqitur një çrregullim, me ç‘ rast edhe është ftuar kirurgu i fëmijëve.

Kirurgu kishte konstatuar se foshnja duhej t’i nënshtrohej në mënyrë urgjente një intervenimi kirurgjikal.

Por, intervenimi është vonuar për 12 orë ngase salla e operacionit ishte e zënë me raste tjera.

“Më kanë thënë se ka mungesë të sallave sepse është e diell dhe duhet me pritë pasi që njëherë duhej të përfundonin dy operacione të tjera”, tha Elhame Kelmendi.

Edhe në fletë-lëshimin për foshnjën nga Klinika e Neonatologjisë konstatohet se pas përkeqësimit të gjendjes së saj vendoset për intervenim kirurgjik, por ai nuk realizohet.

“Më datë 10/09 vie deri te përkeqësimi i gjendjes,… mostolerim i ushqimit. Kirurgu i fëmijëve vendos indikacionin absolut për intervenim kirurgjik, mirëpo i njëjti nuk realizohet për mungesë të sallës operative”, thuhet në fletë-lëshim.

Elhame Kelmendi tha se nuk e di a është vonuar ekipi për mungesë të sallës, apo nga neglizhenca.

“Tash pse janë vonu, nuk e di se a nuk ka pasur salla apo ka qenë neglizhenca e asaj ekipës atë natë”, shtoi ajo.

Ndërsa Rinor Kelmendi, babai i foshnjës, nuk po mund t’i japë përgjigje pyetjes “Pse nuk ka pasur salla?”. Këtu e kemi problemin”, thotë ai.

Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së tha për Kallxo.com se janë dy salla në Qendrën Emergjente, por deklaroi se nuk e di nëse gjatë vikendeve punojnë të dyjat.

“Për të gjitha rastet jemi në fazën e hetimeve. Janë 2 salla në kuadër të klinikës emergjenye por a përdoren dyjat a jo në vikende nuk e di. Po presim organet kompetente me thënë fjalën e tyre”, tha Shpend Fazliu.

Drejtori i Qendrës Emergjente Basri Lenjani tha se në raste të jashtëzakonshme mund të aktivizohen të dy sallat.

“Janë dy salla operative, ku sipas funksionalitetit dhe rasteve, ekipet kujdestare ngrisin gatishmërinë. Në vetëm i furnizojmë me material dhe me barna. Ndërkaq, në vikende punon vetëm njëra sallë, por në rastet e jashtëzakonshme punojnë që të dyja, por kjo caktohet nga degët kirurgjike”, tha Basri Lenjani.

Ndërsa zyrtarët policorë u treguan prindërve të foshnjës së vdekur se sot do të ngarkohet një hetues i cili do të merret me këtë rast.

Foshnja e vdekur ishte djali i vëllait të Gëzim Kelmendit, kryetarit të Partisë Fjala. Para dy ditësh Gëzim Kelmendi paralajmëroi ndjekje ligjore të përgjegjësve.

“Krimi i organizuar në QKUK shkaktoi edhe një viktimë të radhës”, ishte fjalia e parë e vendosur në shkrimin e tij.

Gëzim Kelmendi tha se foshnja e vëllait të tij është varrosur, ndërsa tregoi se si ajo vdiq.

“Të dielën në mbrëmje me 10 shtator i është paraqitë një çrregullim ku edhe është ftuar kirurgu i fëmijëve në 10:30 të mbrëmjes dhe ka urdhëru me u operu në mënyrë urgjente, derisa këta është dashtë me pritë deri të nesërmen në 10:30 të ditës, do të thotë 12 orë”, shpjegoi Kelmendi.

Ish-deputeti që edhe vetë është specialist i kirurgjisë maksilofaciale dhe ka kryer Fakultetin e Stomatologjisë, deklaroi se sallat tjera ishin të mbyllura.

“Nuk ka pasë salla të lira përderisa aty janë me dhjetëra salla operative. Sallat tjera kanë qenë të mbyllura, vetëm një e lirë dhe ka qenë e zënë me raste tjera. E pse me u mbyllë në vikend? Problemi ka qenë te vonesa dhe unë e fajësoj menaxhmentin e QKUK- së”, tha Gëzim Kelmendi.

Ndryshe nga dyshimi për vonim në intervenim në këtë rast, javën e kaluar në QKUK ndodhën tri vdekje tjera të dyshimta.

Komentoni