Ekonomi

Analisti financiar: Bitcoin-i nuk është flluskë

Analisti i njohur financiar dhe themeluesi i Fundstrat-it, Tommy Lee, përsërit qëndrimin e tij se Bitcoini mbetet investimi më i mirë – deri në fund të vitit.

Lee e mbështeti këtë qëndrim në një intervistë me CNBC, pavarësisht rënies së fundit me dy shifra, transmeton Telegrafi.

Analistë tjerë kanë shprehur mospëlqimin për monedhën digjitale, përfshirë Jamie Dimon nga JPMorgan Chase, i cili kohët e fundit e quajti “kripto-valutën” si “mashtrim”. Sipas tij, qeveritë së shpejti do të ndërhyjnë për ta rregulluar këtë monedhë.

Bitcoin gjithnjë ka pasur potencialin për të qenë monedha e re jashtë influencës së bankave dhe shteteve. Ndaj, deklaratat e fundit negative nga bankat e mëdha shihen si frikë e popullaritetit të Bitcoin-it. Kështu, disa banka e paraqesin atë si mashtrim, e edhe shtetet të cilat nuk pajtohen me një monedhë të decentralizuar.

Robert Shiller, nobelist në Ekonomi, mban të njëjtin qëndrim se Bitcoin është një flluskë. Por, Lee, i cili parashikon një çmim të Bitcoin-it prej 25 mijë dollarëve në pesë vitet e ardhshme, thotë se Bitcoin-i nuk mund të jetë në një flluskë, pavarësisht çmimit të arritur në vitin e kaluar.

Lee iu përgjigj kritikave duke thënë: “Ne kemi disa të dhëna. Janë rreth 300 mijë mbajtës të të paktën 5.000 dollarëve në Bitcoin. Kjo është sikur të thoshe dikush më 2007 se iPhone është flluskë, sepse për katër ditë të shitjes u shitën të paktën 500 mijë njësi”.

Se a ka apo jo Lee të drejtë, e vërteta është se tregu kërceu nga nivelet nën tremijë dollarë pas shpalljes së mbylljes së disa këmbimoreve në Kinë.

Komentoni