Kosova

Analistët: Nuk ka rrugë tjetër për liberalizim përveç plotësimit të kushteve

Tirana nuk mund të rrezikojë liberalizimin e vizave me pajisjen me pasaporta të kosovarëve

Liberalizimi i vizave për shtetasit e Kosovës nuk do të ndodhë para plotësimit të dy kushteve të vëna nga BE, ai për demarkacion dhe lufta kundër korrupsionit. Ky është qëndrim i palëkundur i BE edhe pse është cilësuar si i padrejtë nga politikbërja dhe shoqëria civile.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi gjatë një takimi me homologun e tij shqiptarë Ilir Meta ka kërkuar shtetësinë shqiptare për qytetarët e Kosovës për shkak siç theksoi padrejtësisë së BE ndaj kosovarëve në aspektin e liberalizimit të vizave. Por analist politik dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare e konsiderojnë më shumë si një revolt dhe si rrjedhojë e mllefit.

Analisti politik Blerim Burjani tha për Kosova.info se kjo nuk mund të ndodhë meqë dy shtetësia nuk është aprovuar nga të dy Kuvendet e shteteve.

“Është më tepër revoltë e Thaçit dhe fustrim politik i tij, nuk do të ketë dy shtetësi këtë nuk do ta lejonte BE, por as Shqipëria nuk është pro dyshtetësisë. Kosova është shtet i pavarur, por për të aplikuar dy shtetësinë duhet së pari të ketë aprovim ndërkombëtar dhe njohje të kësaj shtetësisë, në të kundërtën nuk do të mundin qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza”, tha ai.

Presidenti shqiptar Meta më tepër e preferon që Kosova të kalojë kushtin e decentralizimit nisur nga fakti se pajisja me pasaporta shqiptare të qytetarëve të Kosovës nuk mund të ndodhë.

Një gjë të tillë nuk do ta kishte miratimin e BE kur është fjala për liberalizimin e vizave që i është dhënë Shqipërisë.

Edhe po të ketë një vullnet të çeliktë, Tirana zyrtare e di që BE menjëherë do të anulonte liberalizimin e vizave për Shqipërinë sidomos tani kur kriteret janë sforcuar. Pra shpresa e vetme e presidentit Thaçi vihet në pikëpyetje.

Zyra e BE-së në Kosovë ka kërkuar edhe një herë që Kosova t’i përmbushë kriteret e mbetura (demarkacionin dhe luftimin e krimit e të korrupsionit), në mënyrë që ta arrijë liberalizimin e vizave.

Disa vende kanë aplikuar këtë mënyrë vetëm për pakicat e tyre në vendet e tjera si rasti i Bullgarisë me pakicën e saj në Maqedoni.

Një tentativë të tillë e kishte bërë edhe Rumania për moldavezët, por nuk e realizoi meqë kriteret e BE janë të qarta. /KI/

Komentoni