Kosova

Ambasadori Hiseni i dorëzoi letrat kredenciale guvernatorit kanadez

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada, Lulzim Hiseni, i ka dorëzuar letrat kredenciale Guvernatorit të Përgjithshëm të Kanadasë, David Johnston, në Quebec City, ku është edhe rezidenca e dytë zyrtare e kreut të shtetit. 

Në takimin që ka pasur pas ceremonisë, ambasadori Hiseni dhe guvernatori Johnston, diskutuan për marrëdhëniet bilaterale të cilat u vlerësuan lart nga Johnston, i cili kujtoi takimin e tij të fundit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Derisa ka rikonfirmuar angazhimin e tij dhe të Kanadasë në mbështetjen e Kosovës, guvernatori Johnston vlerësoi qasjen pozitive të Republikës së Kosovës në politikën e jashtme, ku bën pjesë edhe hapja e Ambasadës së Kosovës në Otavë, dhe caktimin e Hisenit, ambasador i parë rezident i Republikës së Kosovës në Kanada. 

Nga ana tjetër, ambasadori Hiseni në këtë takim theksoi se marrëdhëniet me Kanadanë janë jashtëzakonisht të rëndësishme për faktin se ky vend është një nga mbështetësit kryesorë të Kosovës që nga periudha para ndërhyrjes së NATO-s. 

Ndërsa ka shtuar se “kontributi i saj kundrejt Kosovës është shumëdimensional, duke filluar nga ai politik, ekonomik, social e kulturor”. Me këtë rast ambasadori Hiseni theksoi se në vizionin e saj të politikës së jashtme, Republika e Kosovës e konsideron Kanadanë si vend partner, mik dhe mbështetëse të palëkundur në rrugën e saj drejt konsolidimit të plotë ndërkombëtar me theks në integrimet euro atlantike. Kanadaja është ndër njohësit e parë të Republikës së Kosovës dhe që atëherë marrëdhëniet bilateral janë thelluar. /KI/

Komentoni