Sport

Ambasadorët e OKB-së të mahnitur me Majlinda Kelmendin

Për suksesin e Majlinda Kelmendit në “Rio 2016” ka folur edhe ambasadori i Japonisë në ShBA, gjatë fjalimit të tij në Këshillin e Sigurimit në OKB.

Në të njëjtën linjë ka folur edhe përfaqësuesi i Anglisë, duke përgëzuar Kosovën dhe Majlinda Kelmendin.

Ambasadori japonez ka thënë se Kelmendi e ka emocionuar edhe popullin e Japonisë, si dhe triumfi i saj ka dërguar porosi e shpresë për Kosovën, shkruan Gazeta Express.

“Triumfi i Majlinda Kelmendit është një nga momentet me emocionuese në Japoni.

Ajo mposhti në gjysmëfinale garuesen tonë, por ne jemi të impresionuar nga arritja e saj, duke ditur se në çfarë kushtesh ka stërvitur.

Fitorja e saj ka dërguar një porosi të shpresës për Kosovën”, ka thënë ambasadori.

Edhe ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, në takimin e Këshillit të Sigurimit në OKB ka folur për përparësitë e Kosovës si dhe ka përmendur të rinjtë kosovarë si shpresë e së ardhmes për Kosovën.

Çitaku ka përmendur Kampionen Botërore e Olimpike, Majlinda Kelmendin.

“Kemi edhe Majlinda Kelmendin që solli medaljen e parë olimpike të artë në vend. Asaj i janë ofruar miliona euro që të garojë për vendet tjera, por priti dhe garoi për vendin e saj.

Ajo vërtetoi se jo çdo gjë duhet të shitet, ajo u bë heroinë dhe inspirim për të gjithë”, ka thënë Çitaku, duke përmendur edhe matematikanën Doruntina Sylejmani.

Komentoni