Ekonomi

Ambasada amerikane do të vazhdojë ta përkrahë zhvillimin e bujqësisë edhe në të ardhmen

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo ka takuar Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë, Greg Delawie, me të cilën ka biseduar për zhvillimet e deritanishme në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, si dhe për objektivat e ministrisë për vitet e ardhshme.

Ministri Rikalo falënderoi ambasadorin për mbështetjen që Qeveria e ShBA-ve i ka dhëne Kosovës në të gjitha fushat, e me fokus të veçantë në bujqësi dhe zhvillim rural.

Ai me këtë rast e ka njoftuar ambasadorin lidhur me programet mbështesë të ministrisë për vitin e ardhshëm, të cilat tashmë janë duke u hartuar, ku përmes të cilave ministri theksoi se do të gjejnë mbështetje fermerët e gjithë territorit të Kosovës.

Ministri Rikalo shprehi përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit mes MBPZhR-së dhe Ambasadës amerikane në mbështetje të zhvillimit dhe fuqizimit të sektorit të bujqësisë.

Ndërkaq, ambasadori Greg Delawie e uroi ministrin Rikalo për emërimin e tij dhe u zotua që ambasada amerikane do të vazhdojë ta përkrahë zhvillimin e bujqësisë edhe në të ardhmen. /KI/

Komentoni