Kulturë

Aktorët paralajmërojnë grevë, drejt anulimit të repertorit të Teatrit Kombëtar

Krejt ata që sonte ia mësyjnë të shohin shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ka mundësi që të kthehen prapa pa e parë atë. Shumica e aktorëve të këtij institucioni kanë vendosur që të hyjnë në grevë shkaku i pagave që ata i konsiderojnë të ulëta. Kjo është hera e tretë që Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës paralajmëron grevë.

Më 27 mars në Ditën Ndërkombëtare të Teatrit aktorët kishin thënë se nëse kërkesat e tyre nuk realizohen do të hyjnë në grevë. Kishin dhënë një javë afat për këtë, por ishte shtyrë.

Paralajmërimi i dytë u dha më 20 prill e në ditën e caktuar për ta bllokuar repertorin, ishin zmbrapsur pas premtimeve që u ishin bërë nga ministri i atëhershëm i Kulturës, Kujtim Shala. Nëpërmjet kryetarit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari, u ishte premtuar kontratë kolektive dhe një takim me aktorë një javë më pas, në të cilin do të diskutohej gjendja e tyre.

Prej atëherë asnjëra prej kërkesave nuk u plotësua. E për këtë, prej sot (e hënë) sipas Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, repertori i këtij institucioni do të anulohet deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Aktualisht paga bruto e aktorëve rezidentë të TKK-së është 437 euro, përderisa kërkesa e tyre është që të jetë sa e profesorëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët kanë pagë bazë prej 1.150 euro.

Komentoni