Kosova

Aktakuzë për vepër penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” “Falsifikim i dokumenteve” “Mashtrim” dhe “Ushtrim i ndikimit”

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzën kundër të pandehurës S.T. për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së, “Asgjësim apo fshehja materialit arkivor” nga neni 416 të KPRK-së dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 434 paragrafi 1 të KPRK-së.

Po ashtu, Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit F.T. për vepra penale “Mastrim” nga neni 335 paragrafi 2 të KPRK-së, “Ushtrim i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 1 të KPRK-së, “Falsifikm i dokumenteve” nga neni 398 paragrafi 2 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së dhe kundër të pandehurit G.Sh. për vepër penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par. 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës e pandehura S.T. në Gjykatën Themelore në Pejë dega në Deçan, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin përkatësisht për të pandehurin F.T. keqpërdor autoritetin zyrtar në atë mënyrë që, pasi e pandehura S.T. më 02.01.2017, e kishte caktuar paraburgimin për një të pandehur, derisa i pandehuri F.T. dhe G.Sh. takohen dhe ky i fundit duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e tij dhe i jap shumën prej 1.900 euro të pandehurit F.T. për të ndikuar tek e pandehura S.T. e cila më pas më 10.01.2017 masën e paraburgimit e zëvendëson me masën e dorëzanisë.

Gjithashtu, e pandehura S.T. deri më 13.01.2017 ka fshehur materialet arkivore të Gjykatës Themelore në Pejë dega në Deçan, ashtu që në shtëpinë e të njëjtës janë gjetur dosje origjinale të kësaj gjykate e të cilat e kishin vendin në arkivin e gjykatës.

Gjithashtu e pandehura S.T. deri më 13.01.2017 në gjykatën e lartcekur i ka mundësuar të pandehurit F.T. përpilimin e dokumenteve dhe shkresave zyrtare ashtu që, i pandehuri F.T. duke shfrytëzuar pozitën e të pandehurës dhe me dijeninë e saj përdor vulën dhe shkresat zyrtare në të cilat fut përmbajtje të rreme.

Të lartcekurit me veprimet e tyre, kanë kryer veprat penale të përshkruara sikur më lartë, për çka prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që të njëjtit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barë. /KI/

Komentoni