Kosova

Aktakuzë për pesë persona për shitblerje të tokave të serbëve

Një prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës e ka parashtruar një aktakuzë kundër pesë të pandehurve që akuzohen për pjesëmarrje në një grup të krimit të organizuar veprimtaria e të cilit ishte kryerja e shitblerjes së tokës me mashtrim.

“Hetimet e kryera nga prokurori në fjalë kanë të bëjnë me një skemë të krimit të organizuar qëllimi i të cilit ishte që, duke kryer shitblerje të tokës me mashtrim dhe legalizim të dispozitave kontraktuese false, t’i përfitojë, regjistrojë dhe bartë të drejtat e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme në dëm të serbëve të zhvendosur të Kosovës dhe pastaj në dëm të blerësve shqiptarë në komunat e Gjakovës, Pejës dhe Deçanit”, thuhet në një komunikatë nga prokuroria e Shtetit.

Sipas njoftimit këto vepra pronësore janë kryer gjatë periudhës ndërmjet viteve 2000 dhe 2012. Shuma e përgjithshme e këtij mashtrimi vlerësohet të jetë 1 milion e 300 mijë euro.

Këtë aktakuzë e ka parashtruar një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Kosovës pas hetimeve komplekse të kryera nga prokuroria e EULEX-it, Policia e Kosovës dhe Policia e EULEX-it. 

Komentoni