Ekonomi

AKP sot ka shitur edhe 105 asete

Agjencia Kosovare e Privatizimit sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve nr. 36 përmes metodës së likuidimit, shpalli çmimet më të larta të ofruara për asetet e ndërmarrjeve shoqërore që ishin në dispozicion për shitje.

Për 105 asete sa ishin në shitje përmes kësaj vale të tenderuar, gjithsej u pranuan 156 oferta, dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 4,687,401 euro.

AKP ka sqaruar se dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve u bënë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të mediave, përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës, si dhe investitorëve të pranishëm, ndërkaq është bërë transmetimi drejtpërdrejt i ceremonisë përmes faqes zyrtare të internetit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit: www.pak-ks.org, si dhe është transmetuar drejtpërdrejt edhe përmes mediave elektronike, duke mundësuar përcjelljen e ceremonisë edhe për të gjithë qytetarët e interesuar që s’kanë qenë të pranishëm në sallë.

Ceremonia e hapjes së ofertave ka filluar në orën 12:30 dhe është mbajtur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, ku edhe është bërë dorëzimi i ofertave nga ofertuesit nga ora 10:00 deri në ora 12:00.

Agjencia Kosovare e Privatizimit, është organ i pavarur i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e vendit. Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e këtyre ndërmarrjeve dhe/ose aseteve investitorëve private-blerësve, ose likuidimin e tyre, gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.

Komentoni