Kosova

Ahmeti në Prugovc: Vazhdojmë projektet për zhvillimin e Prishtinës

Sonte u mbajt tubimi në fshatin Prugovc, kur përveç kandidatëve për Kuvend Komunal folën edhe Kryetari i Komunës Shpend Ahmeti si dhe Nënkryetari i Lëvizjes Dardan Sejdiu.

Para banorëve të këtij fshati, Dardan Sejdiu foli për zotimet e realizuara në katër vitet e fundit, duke theksuar kështu përgjegjësinë e madhe të VETËVENDOSJE!-s karshi besimit që merr nga qytetarët. “Komuna e Prishtinës, prej se qeveriset nga VETËVENDOSJE!, është e vetmja Komunë pa asnjë aferë korruptive. E ndalëm të keqen, dhe i hap rrugë të mirës: dyfishuam numrin e çerdheve; ndalëm krimin urbanistik; hapëm komunën për qytetarët; i modernizuam Qendrat e Mjekësisë Familjare; investuam në përmirësim të cilësisë në arsim; digjitalizuam shërbimet administrative komunale; e shumë e shumë punë të tjera në të mirë të qytetarëve dhe në të mirë të Komunës”, tha ndër të tjera Sejdiu.

Kryetari Shpend Ahmeti tha se në mandatin e radhës, kur edhe Kuvendi Komunal do të jetë me shumicë të asamblistëve të VETËVENDOSJE!-s, do të jetë shumë më i lehtë funksionimi normal i institucionet, dhe shumë më i lehtë zhvillimi i Komunës. “Prishtinës do t’i shtohet krahu i Kuvendit Komunal. Prandaj për mandatin e dytë kemi 100 Zotime. Realizimi i këtyre zotimeve do të jetë shumë më i lehtë me ndihmën e asamblistëve, me ndihmën e qytetarëve të Prishtinës. Do t’i vazhdojmë projektet tona për zhvillimin e Prishtinës, për Prishtinën qytet në çdo lagje. Për ne është e rëndësishme qasja e barabartë ndaj qytetarëve dhe orientimi i drejtë i investimeve, sipas nevojave tuaja”, theksoi Ahmeti. /KI/

Komentoni