Lajme

Ahmeti: Në banesat e uzurpuara ka edhe familje politikanësh

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë një interviste në emisionin INFO 3 LIVE në RTK, ka thënë se në banesat e uzurpuara në lagjen Dardania ka edhe familje politikanësh.

“Dikush po i gënjejnë ata banorë. Rasti është shumë i thjeshtë, në vitin 1999 pas përfundimit të luftës shumë qytetarë janë futur në banesa të pabanuara. Aty ka edhe familje të politikanëve, po edhe familje në nevojë që nuk kanë ku të strehohen”, ka theksuar Ahmeti.

Mes tjerash ai ka folur për kishën ortodokse në hapësirat e UP-së, ku i ka ftuar në një diskutim të gjitha partitë politike, bashkësitë fetare dhe shoqërinë civile për ta gjetur një zgjidhje.  “I thërras të gjithë që ta hapim një debat më të gjerë rreth asaj se çfarë simbolike ka ky objekt, po them objekt pasi po hezitoj ta quaj kishë, për shkak se ajo është bërë në një periudhë kur janë bërë shumë persekutime ndaj popullit shqiptar”, ka shtuar kryetari i Prishtinës.

Ndërkohë, duke folur për rikandidimin e tij për të parin e kryeqytetit ai la gjithçka të hapur. “Partia i ka procedurat e veta. Në organizatën tonë ekziston një gatishmëri e plotë që unë të jem sërish kandidat për një mandat të ri, por unë ende nuk kam vendosur për këtë. Sigurisht pas bisedave edhe me rrethin familjar dhe me miqtë do ta marr vendimin në kohën e duhur”, ka nënvizuar Ahmeti.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*