Lajme

Ahmeti: Mos ndjellni fatalitet e pesimizëm

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka reaguar ndaj kritikave për anulimin e natës së dytë dhe të tretë të “Beer Fest”-it.

Ahmeti ka thënë se arsyeja e marrjes së këtij vendimi nuk ka të bëjë as me fe as me frikë e guxim, por sipas tij komuna nuk është në gjendje të garantoj sigurinë e nevojshme në një hapësirë siç është sheshi i Prishtinës, me një numër aq të madh të njerëzve.

“Shumica e kanë lidhur me fe, terrorizëm frike e guxim por në fakt situata ka qenë më e thjeshtë se kaq. Numri i madh i njerëzve në atë hapësirë sheshi ka ekspozuar probleme të cilat nuk i kemi menduar më parë. Largimi i shumë njerëzve ne fyte të ngushta ka shkaktuar probleme nga stampedot e mundshme. Si dhe hapësira e lirë e sheshit ka pamundësuar kontrollin e moshës posaqerisht gjatë shitjes së birrave”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ahmeti ka shtuar se mbrëmë ka pranuar dhjetëra thirrje nga prindër e familjarë tē brengosur për sigurinë dhe skenat nga ikja.

“Kur nuk kemi mekanizma të sigurisë, preventiva është mjeti i vetëm”, shkruan Ahmeti.

“Andaj ju kisha lut mos e ktheni as në fitore apo humbje të lirisë, birrës, fesë apo terrorizmit. As nënshtrim ndaj frikës. Veçse masë preventive për siguri. Mos ndjellni fatalitet, pesimizëm e beteja të paqena përmes beerfestit. Më mirë qindra kritika sot se ngushëllime nesër. Uroj shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve mbrëmë. Po ashtu falënderoj organizatorët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin”, ka përfunduar kryetari i Prishtinës.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*