Lajme

Agim Çeku thotë se betejën e parë në luftë e kishte kundër Ratko Mlladiqit

Sonte në emisionin “Komiteti Qendror”, prodhim i Gazetës Express që transmetohet në RTV Dukagjini, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, ka folur për inkuadrimin e tij në Ushtrinë kroate dhe betejën e tij të parë.

Gjatë fillimit të luftës ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, Çeku gjendej në Njësitin e Zarës. Ushtria serbe gjatë kësaj kohe udhëhiqej nga Ratko Mlladiq.

Në betejën e tij të parë, kundër Mlladiqit, Çeku tregon se kishin humbur territor, por nuk kishin pasur humbje të civilëve.

Duke folur për përvojat e tij në luftëra kundër Mlladiqit dhe oficerëve tjerë serbë, Çeku ka thënë se “gjeneralët serbë dhe vetë Mlladiq nuk kanë pasur asnjëherë art në luftë, se kanë përdorur vetëm brutalitet”.

“Doktrina e tyre ka qenë gjithmonë shkatërrimi në njerëz dhe në mjete materiale. Mlladiq, edhe pse shihet si një hero i popullit serb, asnjëherë nuk kishte mbrojtur zonat serbe, përveçse kishte shkatërruar ato kroate”, ka thënë Çeku në “Komitet Qendror”.

Çeku ka treguar që ka katër plagë nga lufta në Kroaci. Ndërsa, ka rrëfyer se si ishte plagosur gjatë një kundërsulmi të Ushtrisë serbe.

“Edhe pse vetë isha nën breshërinë e plumbave, e ndihmova gjeneralin Mirko Norac, sepse ai ishte i plagosur dhe në gjendje më të rëndë. Tani jemi miq të ngushtë”, ka thënë Çeku.

Norac ishte i dënuar më nëntë vjet burgim për krime lufte nga një gjykatë në Kroaci.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*