Kosova

“Agani të pranojë që më nuk është kryetar i PD-së”

Struktura e re udhëheqëse e Partisë së Drejtësisë ka kërkuar nga, sic e quan ajo, ish kryetari Ferid Agani që të reflektojë mbi zhvillimet e reja në parti.

Përmes një njoftimi për medie 17 degë dhe 117 delegatë të kësaj partie e thërrasin Aganin të pranojë rezultatin e zgjedhjeve brenda partisë dhe kryetarin e ri, Sylejman Cerkezin.

Thirrje publike për reflektim ish kryetarit z. Ferid Agani

Zhvillimet e fundit politike në Partinë e Drejtësisë, deri së fundmi te Kuvendi i Jashtëzakonshëm zgjedhor, ku u nxorën edhe strukturat e reja udhëheqëse, dëshmojnë qartë se kemi të bëjmë me një realitet të ri politik të PD-së, ku brenda normave dhe vlerave morale politike duhet të pranohet ky realitet. Në emër të 17 degëve të Partisë së Drejtësisë, dhe në emër të 112 Delegatëve të rregullt të Kuvendit të PD-së të mbajtur më 28 shtator 2016, ju bëjmë thirrje juve z. Agani që të reflektoni me pranim të këtij realiteti të PD-së, si dhe të lironi zyret dhe mos të pengoni aktivitetin politik e partiak të udhëheqjes së re të PD-së, e votuar me vullnetin e plotë konformë kërkesave të anëtarësisë së gjerë për ndryshim në PD. Ju ftojmë të jeni i vetëpërmbajtur karshi akuzave e kërcënimeve mediale që po bëni kohëve të fundit në adresë të udhëheqjes së re të PD-së dhe kryetarëve të degëve, veçanërisht në adresën e Sekretarit të Përgjithshëm z. Fidan Mustafa. Qasja e tillë dëmton imazhin dhe elektoratin e PD-së, edhe ashtu të dëmtuar tejmase nga qasja juaj përjashtuese e seleksionuese. Po ashtu, ju bëjmë thirrje që të mos bëni presion ndaj udhëheqjes së degëve të PD-së, me SMS e thirrje telefonike, sepse këto 17 degë dhe 112 Delegatët e Kuvendit nuk ju njohin më për kryetar të Partisë së Drejtësisë, por e njohim vetëm kryetarin e ri të Partisë së Drejtësisë z. Sylejman Cerkezin dhe kryesinë e re. Tashmë ne jemi në proces të certifikimit të Kuvendit nga ana e KQZ-së, ku dje (03.10.2016) dorëzuam të gjitha argumentet për ligjshmërinë e Kuvendit të Jashtëzakonshëm Zgjedhor, andaj ju ftojmë publikisht të pranoni këtë realitet të ri dhe të dëshmoni një vlerë morale politike.

Komentoni