Lajme

Afera e përgjimeve, Kajtazi: Janë rrëqethëse

Seria e publikimit të përgjimeve të siguruara nga gazeta online “Insajderi”, nis nesër ku protagonistë do të jenë zyrtarë të lartë shtetëror.

Gazetari Vehbi Kajtazi, i cili e drejton këtë medium thotë se për këto përgjime ka punuar muaj të tërë, ndërsa vërtetësia e tyre sipas tij është e pakontestueshme. Ai paralajmëron se përgjimet që do të dalin në ditët në vazhdim do të jenë rrëqethëse, ndërsa në ato që publikohen nesër dëgjohen biseda e nënkryetarit të PDK-së, Adem Grabovci me prokurorin, Bahri Hyseni. “Është e tmerrshme kur njerëzit i dëgjojnë se si funksionon shteti në këtë vend. Është e tmerrshme kur t’i i dëgjon me veshë se si ka asi fuqie të madhe dhe asi ndikimi të madh në gjithë sistemin shoqëror dhe politikë në Kosovë, edhe në atë institucional. Pra përmbajtja e atyre bisedave që do të vijnë në ditët në vazhdim do të dëshmojë se shteti nuk drejtohet nga institucionet e pavarura, por drejtohet nga një grup njerëzish-zyrtarësh, konkretisht të Partisë Demokratike të Kosovës, në krye me z. Hashim Thaçi”, ka theksuar Kajtazi në një intervistë për RTK-në. Kajtazi thotë se në përgjime ka edhe biseda të jetës private të protagonistëve, por sipas tij ato nuk do të publikohen. Ai thotë se gjithçka tjetër që ka të bëjë me interesin shtetëror do të publikohet pavarësisht se kush është protagonist. “Ne në ditët në vazhdim, konkretisht nesër nxjerrim përgjimet telefonike që dëshmojnë shpërdorimin e detyrës zyrtare, që dëshmojnë se shteti drejtohet dhe është i kapur nga një grup i njerëzve përfshirë z. Adem Grabovci, të cilët kontrollojnë gjithçka”, ka shtuar Kajtazi.

Ndërkohë, i kontaktuar nga RTK, misioni i EULEX-it nuk ka dashur të deklarohet lidhur me këto përgjime. Por, në një përgjigje të shkurtër përmes emailit Eulexi ka shkruar: “Misioni nuk i komenton provat të cilat janë pjesë e një procesi gjyqësor që është duke vazhduar. Për pyetje shtesë, ju lutem kontaktoni zyrën për media të Prokurorisë së Shtetit”.

Edhe Prokuroria e Shtetit nuk ka dashur të deklarohet për RTK-në lidhur me përgjimet, por në një prononcim për TV Dukagjini gjatë ditës, kryeprokurori Aleksandër Lumezi, ka thënë: “Me sa jam i njoftuar përgjimet janë bërë nga prokuror kompetent lidhur me një rast që ka qenë duke u zhvilluar, e që kanë dal nga aty. Sa i përket ndjekjes penale përgjimet kanë qenë në duart e prokurorëve të cilët kanë dhënë autorizim zyrtar për përgjime, ata do ta shikojnë nëse paraqesin elemente të veprës penale”.

Por gazetari Vehbi Kajtazi thotë se bisedat që dëgjohen në përgjime përmbajnë elemente të veprave penale, të cilat do të duhej të shërbenin si shkas për fillimin e hetimeve, porse sipas tij një gjë e tillë është vështirë të ndodhë. “Duke e ditur ndikimin që ka z. Grabovci dhe të tjerët mbi sistemin gjyqësor dhe prokurorial, atëherë unë nuk pres dhe nuk kam shpresë që prokuroria do të arrijë apo do të guxojë të kryejë një hetim të mirëfilltë në këtë rast”, është shprehur Kajtazi.

Avokati Arianit Koci ndërkaq thotë se është ende herët të flitet nëse përgjimet kanë elemente të veprave penale. Ai vlerëson se përgjimet përbëjnë tashmë shkelje të privatësisë. “Në kushte normale kjo është shkelje e privatësisë, por me faktin se këta janë politikanë, atëherë interesi madhor publik e lejon edhe këtë publikim. Përndryshe këto nuk janë me leje të gjykatës të publikuara”, ka thënë Koci.

E Nehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se përgjimet e ditëve të fundit dëshmojnë se të gjitha institucionet e pavarura ka kohë që janë të kapura dhe të politizuara. Miftaraj thotë se Prokuroria e Shtetit nesër e ka rastin të dëshmojë pavarësinë e saj. “Ky rast nëse nuk është duke u trajtuar dhe nuk është ende në kompetencë të Eulexit, automatikisht vjen në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila është e specializume dhe me kompetencë ekskluzive për trajtimin e rasteve në nivel të lartë. Shpresojmë se edhe ky rast nuk do të bie në harresë si shumë raste në të kaluarën”, ka thënë Miftaraj. Një ditë më parë “Insajderi” ka publikuar inserte të përgjimeve në të cilat protagonistë e kanë shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ndërsa në to siç është thënë janë të përfshirë edhe zyrtarë të lartë shtetëror, deputetë, prokurorë, gjyqtarë, drejtues mediash, biznesmen dhe individë të ndryshëm.  

Leave a comment

Your email address will not be published.


*