Kulturë

AFA “Rugova”: Rrezikohet ruajtja e trashëgimisë kulturore të vendit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim Ansamblin Folklorik Autokton “Rugova”,  të cilët e uruan atë për zgjedhjen në krye të Qeverisë së vendit.

Udhëheqësit e AFA “Rugova” theksuan se në mungesë të statusit ligjor të Ansamblit, rrezikohet ruajtja e kësaj trashëgimie, këngët, vallet, lojërat, por edhe veshjet tradicionale, që janë tipike për trevën e Rugovës, dhe me këtë do të pësonte trashëgimia kulturore e vendit.

Kryeministri Haradinaj, duke e vlerësuar lartë si thesar të trashëgimisë kulturore shqiptare, premtoi se Qeveria të cilën e udhëheq do të ndërmarr të gjitha veprimet konform ligjeve në fuqi për rregullimin shumë të shpejtë të statusit të tyre ligjor.

Përfaqësuesit e Ansamblit “Rugova” theksuan se sfidë e tyre thelbësore është që ta ruajnë e kultivojnë, si dhe ta shpijnë më tej ndër breza këtë trashëgimi që është begati kulturore jo vetëm e Kosovës, porse e të gjithë shqiptarëve. Ata po ashtu e falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen, pa harruar ta përmendin faktin se ai është kryeministri i parë i vendit që i pret në takim. /KI/

Komentoni