Kosova

Abrashi: Shpendi s’është marrë me Prishtinën, ai nuk e di as ndërtimin e shkollës së tij

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë të mërkurën në një tubim me banorët e lagjes “Tophane” se Shpend Ahmeti nuk është marrë me problemet dhe nevojat e Prishtinës dhe këtë e dëshmon edhe fakti se ai nuk e di që shkolla e tij është rindërtuar nga qeverisja e LDK-së.

“Shpendi është marrë gjatë katër viteve me gjithçka, me Facebook, me propagandë, me ankesa dhe me çështje që nuk i takojnë atij. Shpendi ka pas kohë të bëjë tifo për Shkëndijen e Tetovës, për Milanin e Italisë, por nuk e pa të udhës asnjëherë të vizitojë sportistët e Prishtinës, të cilët në mungesë të terreneve sportive stërviten jashtë Prishtinës”, ka thënë Abrashi.

“Mbrëmë të gjithë ishim dëshmitarë të faktit se kryetari aktual nuk e dinte se aty ku e ka kryer shkollën edhe vetë ai është ndërtuar një shkollë e re. Natyrisht që nuk e di, sepse nuk është marrë me komunë. Këto katër vjet kanë qenë të humbura për Prishtinën, sepse nuk është ndërtuar asnjë shkollë, asnjë çerdhe publike, janë kamufluar disa shtëpi, por nuk janë çerdhe, nuk është shtuar asnjë gyp i ujësjellësit, prandaj Prishtina nuk e meriton një trajtim të tillë“, ka thënë Abrashi.

Ai ka shtuar se Prishtina ka nevojë edhe për fusha sportive, edhe për t’u marrë me qentë endacakë edhe shumë probleme tjera, por me të cilat nuk është marrë kryetari aktual.

“Një tjetër e keqe që i është bërë Prishtinës është diskriminimi që iu është bërë kuadrove të saj në administratë, në të cilën janë punësuar njerëz nga komunat tjera vetëm pse janë militantë të partisë së tyre. Kjo nuk do të lejohet në qeverisjen tonë, sepse në administratën komunale do të punësohen kuadrot prishtinase”, shtoi Abrashi.

Ai prezantoi planin për krijimin e Fondit të Punësimit për ta përkrahur çdo ide të mirë për biznese. “Këtë fond po e përmendin edhe shumë komuna tjera, por vetëm Prishtina e ka këtë mundësi, pasi këtë ia lejon buxheti i saj”, ka shtuar Abrashi, duke theksuar se për katër vjet do të punësohen mijëra banorë të Prishtinës.

Kandidati i LDK-së për asamblist, Hashim Deshishku, i ka falënderuar qytetarët e Tophanes për përkrahjen e madhe për LDK-në. “Kryetari në shkuarje nuk e njeh Prishtinën, sepse ai vetë nuk e di se kur është ndërtuar shkolla ‘Emin Duraku’, por nuk ka faj sepse në kohën e qeverisjes së LDK-së në Prishtinë janë ndërtuar 26 shkolla, gjashtë-shtatë çerdhe dhe 26 fusha sportive”, ka thënë Deshishku. /KI/

Komentoni