Kosova

Abrashi: Katër vite i humbëm kot, Prishtinën e presin katër vite zhvillim dhe punësim

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka vazhduar të mërkurën prezantimin e Programit të tij zhvillimor për Prishtinën, i cili parasheh zbatimin e 320 projekteve, të cilat janë ideuar nga qytetarët e Prishtinës dhe janë detajizuar nga ekipi i fitores i LDK-së.

“Katër vite i patëm të humbura. Qytetarët e Prishtinës me vullnetin e lirë nuk do të lejojnë që të humbin edhe katër të tjera. Me fitoren tonë prishtinasit i presin projekte zhvillimore, mundësi punësimi për 30 mijë qytetarë, shëndetësi dhe arsim më cilësor, ambient të pastër, 6000 vende për parkim, 10 mijë drunj çdo vit, më shumë gjelbrin dhe kënde lojërash për fëmijë, do të ndërtohet Spitali i qytetit, etj”, ka thënë Abrashi.

Abrashi ka thënë se në vitin e parë Fondi i Punësimit që do të themelojmë ne, do të ketë në disponim 1 milion euro nga buxheti i komunës, ndërsa kjo shumë do të rritet në vitet në vijim. “Këtë fond do të synojmë ta rrisim nëpërmes përkrahjes nga niveli qendror dhe nga donatorët ndërkombëtarë. Ideja është që t’i financojmë idetë e të rinjve për krijimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Do të përkrahim edhe bizneset ekzistuese për zgjerimin e kapaciteteve të tyre. Me Fondin Punësimit do të përkrahen të gjitha moshat, të cilat kanë humbur vendet e tyre dhe kanë probleme të përfshihen në tregun e punës, nëpërmes riaftësimeve profesionale”, ka thënë Abrashi.

Ai tha se duke u bazuar në përvojën time të bashkëpunimit me partnerë të ndryshëm për zgjidhjen e çështjeve të ndjeshme unë do të jem kryetar i të gjithëve, do të bashkëpunoj me Kuvendin Komunal, me asamblistët e zgjedhur nga qytetarët e Prishtinës, pavarësisht partisë apo bindjeve, për të gjetur zgjidhje për problemet e Prishtinës.

“Ne do të punojmë për zhvillimin e zonave ekonomike, duke promovuar dhe integruar edhe komunat e vogla përreth në qasjen e zhvillimit metropolitan të Prishtinës. Ne do ta zhvillojmë projektin e parkut Gërmia – si një kompleks për rekreacion i integruar plotësisht me qytetin e Prishtinës, duke e rigjeneruar pyllin e Gërmisë, siguruar qasje në anën tjetër të Gërmisë dhe zhvilluar shtigjet për ecje dhe vrapim”, tha kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës.

Ai potencoi se projekt tjetër me rëndësi është restaurimi i qytetit të vjetër – që lidh kompleksin e xhamive të vjetra me sheshin “Ibrahim Rugova”, duke mundësuar zhvillimin e artizanateve.

“Kjo zonë përfshinë këto monumente: Xhamia e Çarshisë, Çeshma, Muzeu, Xhamia e Jashar Pashës, Sahat kulla, Shtëpia e ASHAK-ut, Xhamia e Mbretit, Hamami i Madh, Kompleksi Emin Gjiku dhe Shtëpia me teqe. Po ashtu ne do të realizojmë edhe projekte tjera, të hartuara sipas kërkesave konkrete që kanë shprehur qytetarët gjatë bashkëbisedimit me ta”, shtoi Abrashi.

Sipas tij, për katër vitet e ardhshme, në Komunën e Prishtinës do të realizojë 320 projekte, për secilin prej tyre ekziston plani i detajuar.

“Qeverisja në largim e Prishtinës, të vetmet instrumente të qeverisjes ka pasur propagandën dhe demagogjinë. Prandaj, ata sot janë demaskuar si hipokritë dhe më 22 tetor, do ta marrin dënimin e qytetarëve të Prishtinës. Përmes këtyre dy instrumenteve, por edhe duke bashkëpunuar me të gjitha partitë tjera, të mbledhura së bashku në front kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë arritur edhe ta fitojë të drejtën për qeverisjen e Prishtinës, katër vjet më parë. Qeverisjen e tyre katërvjeçare e konsideroj humbje kohe për Prishtinën dhe qytetarët e saj”, shtoi Abrashi.

“Ka pasur shumë demagogji e fare pak, për të mos thënë aspak, punë konkrete. Ata janë marrë me ‘çështje globale’, janë marrë me partinë e tyre jo me qytetarët e Prishtinës. Unë dhe qeverisja që do të drejtoj do të merremi vetëm me Prishtinën dhe qytetarët e saj, pa asnjë dallim”, pohoi Abrashi.

Ai tha se i ka hyrë kësaj gare i vendosur për të fituar dhe për t’i dhënë Prishtinës qeverisjen që meriton. “Qeverisjen që e bën kryeqytetin tonë metropolitan. Fuqia e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbështetja e qytetarëve të Prishtinës më bën optimist se projekti që unë e udhëheqë do të fitojë. Ne kemi projekte konkrete për arsimin në nivel lokal, për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale, ne kemi projekte konkrete për punësimin e të rinjve, për avancimin e aktiviteteve kulturore dhe sportive, për sektorin e bujqësisë dhe turizmit rural”, tha ai.

Ai shtoi se ne kemi projekte konkrete për menaxhimin e pronave publike në shërbim të qytetarëve, për rregullimin e urbanizmit, për investimet kapitale, për përmirësimin e shërbimeve publike dhe për nxitjen e investimeve.

“Komuna e Prishtinës, që do të qeverisen nga unë dhe një shumicë e LDK-së në Asamblenë Komunale do të jenë strehë e sigurt për investitorët e jashtëm dhe të brendshëm, të cilët do të gjenerojnë vende pune për të rinjtë tanë”, tha Abrashi.

Sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se LDK ka gjetur kandidatin i cili i bashkon të rinjtë dhe të moshuarit e LDK-së. Ai është shprehur i bindur se LDK dhe kandidati i saj për kryetar të Prishtinës do të fitojnë në zgjedhjet e 22 tetorit. /KI/

Komentoni