Lajme

Abrashi: E rikujtojmë kolonelin për besnikëri

Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u mbajt Akademi Përkujtimore, me rastin e 18-vjetorit të vrasjes së ish-Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi.

Të pranishëm në këtë akademi ishin përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, ministra, zëvendësministra, deputetë, familjarë të kolonel Krasniqit, familjarë të dëshmorëve, si dhe përfaqësues të tjerë. 

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para të pranishmëve foli për figurën e Heroit, kolonel Ahmet Krasniqi, duke theksuar se shembulli i tij është inspirim për gjeneratat, sepse në rend të parë vendoste Republikën dhe shërbimin ndaj atdheut.

“Pavarësia dhe liria që gëzojmë sot nuk do të ishin të mundura pa vizionin, njohuritë, sakrificën e personaliteteve sikur kolonel Ahmet Krasniqi. Personalitetet e disa brezave, gjeneratave në angazhimin e tyre për Kosovën që njohim sot, vendosën së pari jetën e tyre dhe të familjeve të tyre. I dekoruar me urdhrin “Hero i Kosovës” në Kosovë, dhe dekoratën “Gjergj Kastrioti” në Shqipëri, ne kujtojmë kolonelin si ushtarak, si komandant dhe si vizionar. E kujtojmë si përbashkues i grupeve ushtarake të cilat do t’i bënin ballë Serbisë dhe do ta mbronin popullin e Kosovës. Presidenti ynë historik, arkitekti i Republikës, Dr. Ibrahim Rugova, në kujtimin për të, kolonel Ahmet Krasniqit ia veçonte këto atribute: besnikërinë, personalitet i organizimit, i përkushtimit, devotshmërisë, maturisë, kulturës, krijimtarisë dhe pasionit, në funksion të shtet krijimit”, tha Abrashi.  

Para të pranishmëve për veprën dhe kontributin e kolonel Krasniqit, foli edhe drejtori i Shoqatës së Shëndetësisë së Kroacisë, Drazhen Jurkoviq

Në emër të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, për figurën e kolonel Krasniqit, foli komandanti i Brigadës, Rrustem Berisha

Ai tha ndër të tjera, se Ahmet Krasniqi me tërë qenien e vet u angazhua që të bëj një organizim të mirë, të unifikojë faktorin ushtarak dhe politik në atë kohë me një vullnet që si mungoi asnjëherë, deri më 21 shtator, kur edhe vritet në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes në Tiranë, Shqipëri. 

“Vrasja e tij ishte një goditje e madhe për piramidën ushtarake të asaj kohe, për Ministrinë e Mbrojtjes, por ne gjetëm forcën dhe vazhduam luftën dhe unifikimin e të gjitha organizimeve ushtarake, arritëm ta jetësojmë në “Betejën e Koshares” më 9 prill 1999, pra, arritëm ta jetësojmë amanetin e ministrit Krasniqi”, tha Berisha.

Në emër të familjes, të pranishmit i përshëndeti vëllai i kolonel Ahmet Krasniqit, Behxhet Krasniqi.

“Uroj të takohemi në ditë më të mira dhe uroj të realizohen ëndrrat e të gjithë atyre që kanë rënë në shërbim të atdheut”, tha Behxhet Krasniqi. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*